E Shtunë, 31 Tetor 2026

Domosdoshmëri proceset bashkëpunese dhe integruese



Nga Presidenti, Bamir Topi

Kam kënaqësinë të ndaj me ju disa nga qëndrimet e vendit tim lidhur me procesin e bashkëpunimit të vendeve tona në kuadër këtij dialogu politik shumë të rëndësishëm për rolin që ai luan dhe për perspektivat që ai i ofron të ardhmes së përbashkët të vendeve tona. Dëshiroj të rikthej në kujtesën tuaj të veçantën e krijimit të Procesit të Bashkëpunimit të vendeve të Evropës Juglindore. SEECP-i u krijua me vullnetin dhe nismën e vendeve tona si një domosdoshmëri plotësuese e proceseve bashkëpunuese dhe integruese për të forcuar dhe çuar më tej këto procese, të cilat do t’i jepnin rajonit tonë një frymëmarrje të re bashkëkohore dhe evropiane. Shqipëria vazhdon të mendojë se integrimi evropian mbetet jo vetëm rruga e vetme e jona për të siguruar qëllimet, për të cilat ne u mblodhëm dhe krijuam këtë strukturë, forcimin e stabilitetit, sigurisë dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, zhvillimin ekonomik dhe luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar e terrorizmit, por edhe perspektivën më të qartë për një të ardhme më të mirë për popujt dhe vendet tona. Vendi im ndodhet sot në një moment historik të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. Anëtarësimi në NATO i kontribuoi dhe natyrshëm shpejtoi hapat e integrimit të tij evropian. Ka pak më shumë se një vit që Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit ka hyrë në fuqi dhe vendimi për statusin e vendit kandidatit mbetet pritshmëri shumë e afërt e paraprirë nga një vendim po aq historik: liberalizimi i vizave me vendet e Bashkimit Evropian.
Shqipëria është sot një vend i rëndësishëm dhe strategjik për të siguruar, garantuar dhe shtrirë frymën e bashkëpunimit, paqes dhe dialogut në Evropën Juglindore, në Mesdhe dhe më gjerë. Politika jonë e jashtme mbetet e angazhuar në rritjen e këtij roli për të garantuar stabilitetin politik të rajonit si domosdoshmëri e forcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe rritjes së mirëqenies të qytetarëve tanë. Ne mbështesim përpjekjet e përbashkëta që do të lehtësonin lëvizjen e lirë të qytetarë tanë, që do të krijonin për ta një hapësirë ekonomike rajonale pa barriera penguese për shkëmbimet tregtare e sidomos të elitave intelektuale e kulturore, që do të ndihmonin njohjen e ndërsjellët të tyre për të lënë mbrapa paragjykimet që i kanë shoqëruar ata gjatë historisë së vendeve tona. Nismat dhe tryezat tona, në përmbushje të qëllimit që na bashkon, janë dëshmitare të proceseve integruese dhe te raporteve jo vetëm politike që Bashkimi Evropian zhvillon me Republikën e Kosovës. Ne jemi gjithashtu dëshmitarë të faktit të pamohueshëm që pavarësia e Kosovës i ka kontribuoi paqes dhe sigurisë në një rajon ku lufta për vite të tëra traumatizoi Evropën dhe botën mbarë.
Shqipëria ka mbështetur dhe do të vijojë të mbështesë përfshirjen, përfaqësimin dhe pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës në nismat tona rajonale dhe ato shumëpalëshe, si dhe proceset integruese të saj dhe të të gjitha vendeve të rajonit për t’u anëtarësuar në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Përfaqësuesit e vendeve tona kanë bërë një punë të gjatë për të detajuar qëllimet e përbashkëta dhe për të afruar qëndrimet e veçanta të vendeve tona në Deklaratën e përbashkët të Samitit të Stambollit për të cilën dëshiroj t’i përgëzoj! Duke vlerësuar të gjitha përpjekjet e Turqisë për përmbylljen me sukses të presidencës së saj, dëshiroj të falënderoj të Presidentin Gyl për mikpritjen dhe organizimin e shkëlqyer të këtij Samiti të rëndësishëm në qytetin e bukur dhe unik të Stambollit!

24 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›