Avokati i Popullit: “Ministria t’u paguajë qiratë ushtarakëve”
Laureta Rryçi
Avokati i Popullit i ka kërkuar ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, që të kompensojë qiratë e banesave për të gjithë kategoritë e ushtarakëve që parashikohen në ligj. Shkak për këtë rekomandim duket se është bërë një urdhër i ministrit, i cili ka përfshirë vetëm oficerët, duke përjashtuar dy kategori të tjera, të cilat në vetvete përbëjnë edhe numrin më të madh të ushtarakëve. Avokati i Popullit i kërkon Imamit ndryshimin e Urdhrit Nr.953, datë 06.07.2009 "Për kompensimin e qirasë së banesës për ushtarakët e Forcave të Armatosura në Republikën e Shqipërisë" në përputhje me VKM-në Nr.524, datë 30.04.2004 "Për masën dhe mënyrën e kompensimit të qirasë së banesës për ushtarakët e Forcave të Armatosura në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar.
Rekomandimi
Sipas Avokatit të Popullit, Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr.497, datë 08.04.2009 "Për disa ndryshime në Vendimin Nr.524, datë 30.07.2004 ‘Për masën dhe mënyrën e kompensimit të qirasë së banesës për ushtarakët e Forcave të Armatosura në Republikën e Shqipëris뒔 i njeh të drejtën për të përfituar kompensim qiraje tri kategorive ushtarakësh: oficerët, nënoficerët dhe ushtarët profesionistë. Ndërkohë, Urdhri Nr.953, datë 06.07.2009 që ministri Imami ka nxjerrë në bazë dhe për zbatim të VKM-së së lartpërmendur, në pikën 1 të tij përcakton si përfitues të qirasë së banesës vetëm oficerët dhe nuk përfshin nënoficerët dhe ushtarët profesionist siç parashikohet në VKM-në e mësipërme.
Referuar neneve 116, 118 dhe 119 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, urdhrat, në hierarkinë e akteve normative vijnë pas akteve normative të Këshillit të Ministrave dhe dalin në bazë dhe për zbatim të tyre. Nisur nga ky shqetësim që vjen nga radhët e ushtarakëve që janë përjashtuar nga ky kompensim, Avokati i Popullit ka sugjeruar një sërë ndryshimesh për këtë urdhër të firmosur nga Imami.
Sugjerimi
Avokati i Popullit i rekomandon ministrit të Mbrojtjes që në Urdhrin Nr.953, datë 06.07.2009 "Për kompensimin e qirasë së banesës për ushtarakët e Forcave të Armatosura në Republikën e Shqipërisë" të bëhen këto ndryshime: Në pikën 1, pas fjalës “oficerët” të shtohen dhe fjalët “nënoficerët dhe ushtarët profesionistë”. Paragrafi i fundit të ndryshohet si më poshtë vijon: Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë dhe i shtrin efektet financiare për oficerët nga data 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2009, ndërsa për nënoficerët dhe ushtarët profesionistë nga data e hyrjes në fuqi të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.497, datë 08.04.2009 "Për disa ndryshime në Vendimin Nr.524, datë 30.07.2004 ‘Për masën dhe mënyrën e kompensimit të qirasë së banesës për ushtarakët e Forcave të Armatosura në Republikën e Shqipërisë’" e deri më 31 dhjetor 2009. Po kështu, të njëjtat ndryshime të bëhen edhe në urdhrin e vitit 2010 "Për kompensimin e qirasë së banesës për ushtarakët e Forcave të Armatosura në Republikën e Shqipërisë" duke u përfshirë nënoficerët dhe ushtarët profesionistë.
Strehimi
Përsa i përket strehimit të ushtarakëve, Avokati i Popullit ka sugjeruar kohë më parë qeverinë që të miratojë vendimin për përcaktimin e kritereve të përfitimit nga ushtarakët të së drejtës së parablerjes për objektet bashkë me trojet që kanë dalë të lira nga rikonstruktimi i FA-së dhe që mbeten pronë shtetërore për nevojat për strehim. Avokati i Popullit me shqetësim vëren se dalja e këtij vendimi ishte parashikuar 12 muaj pas miratimit të ligjit për statusin e ushtarakut të FA-së, por ndonëse ka kaluar një kohë e gjatë, rreth katër vjet që ligji ka hyrë në fuqi, një vendim i tillë ende nuk ka dalë. Avokati i Popullit ka trajtuar gjatë vitit 2008 një sërë ankesash për shërbimin e detyruar ushtarak nga familje me një situatë të vështirë financiare. Pas ndërhyrjes së institucionit të Avokatit të Popullit, këta persona kanë ndërprerë shërbimin e detyruar ushtarak. Një sërë problemesh lidhen edhe me mungesën e shërbimit shëndetësor në repartet ushtarake. Në raportin e tij, Avokati i Popullit thekson se pas ndërhyrjes së tij janë marrë masa për përmirësimin e gjendjes në disa reparte.
Ankesat e ushtarakëve te Avokati i Popullit
Ushtarakët janë ankuar pranë Avokatit të Popullit për mobilizim në shërbimin ushtarak në kundërshtim me ligjin; për pensionin suplementar të ushtarakëve të FA-së; për mosdhënie të gradës sipas ligjit; për mosstrehimin e ushtarakëve; për mënyrën e trajtimit me ushqim; për moszbatimin e normave të veshmbathjes; për shërbimin shëndetësor; për kohën e punës dhe të pushimit; për moskompensim të qirasë së banesave; për pensionet e ulëta të ushtarakëve të dalë në rezervë para vitit 1992; për moszbatimin e ligjit për daljen e ushtarakëve në rezervë. Përsa i përket çështjes së strehimit, Avokati i Popullit vëren se fondi i vënë në dispozicion të Ministrisë së Mbrojtjes për të përballuar nevojat dhe kërkesat e ushtarakëve është i pamjaftueshëm. Gjatë vitit 2008, fondi ka qenë 100 milionë lekë. Pikërisht Avokati i Popullit ka sugjeruar rritjen e fondit të kredisë për strehim për ushtarakët e Forcave të Armatosura. Pas ndërhyrjes së Avokatit të Popullit, për kompensimin e qirasë së banesave, shefi i Shtabit të Përgjithshëm ka nxjerrë urdhrin për ngritjen e një komisioni të posaçëm për testimin e tregut të qirave të banesave. Bashkë me Ministrinë e Financave u ra dakord lidhur me vlerën e qirasë dhe në të njëjtën kohë u miratua fondi prej 85 milionë lekësh për të përballuar qiranë e banesave. Avokati i Popullit njofton se nga ky fond kanë përfituar 500 ushtarakë aktivë.
Strehimi për ushtarakët
Në zbatim të Ligjit Nr.9210, datë 23.03.04 "Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë", nenit 39 të VKM-së Nr.452, datë 09.07.2004 "Për kriteret e dhënies së kredisë për strehim të ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe masën e kësaj kredie”, SAP është pjesëmarrëse në komisionet e Ministrisë së Mbrojtjes për përzgjedhjen e përfituesve ushtarakë të kredisë me kushte lehtësuese. Ministria e Mbrojtjes ka negociuar me strukturat drejtuese të Raiffesen Bank lidhur me lehtësimin e kushteve të përfitimit të kredive të akredituara ushtarakëve që nga viti 2005 dhe ka miratuar një marrëveshje për interesa të ulëta duke lehtësuar në maksimum procedurat e përfitimit të kredive.
24 Qershor 2010