Centrali bërthamor qeveria po krijon kuadrin ligjor
Qeveria po përgatit kuadrin ligjor për ti hapur rrugë ndërtimit të centralit bërthamor. Komisioni parlamentar i Veprimtarive Prodhuese ka miratuar ndryshime në marrëveshjen mes vendit tonë dhe Agjencisë Ndërkombëtare Bërthamore. Të gjitha këto ndryshime i paraprijnë nismës që parashikohet të ndërmarrë Shqipëria në ngritjen e një centrali nuklear. “Me vendim të Këshillit të Ministrave është krijuar Agjencia Kombëtare Bërthamore si një institucion që ka për mision hartimin e programit kombëtar bërthamor dhe ka detyrat e objektivat e saj që lidhen me hartimin e kuadrit të plotë ligjor në mbështetje të programit bërthamor kombëtar”,- u shpreh Milo Kuneshka nga AKB-ja. Ky institucion ka si detyrë parësore hartimin e programit kombëtar të energjisë nukleare.
Kriza, europianët vazhdojnë të varfërohen
Një në gjashtë evropianë kanë vështirësi me pagesat e faturave të rregullta mujore, tregon një anketë e kryer nga "Eurobarometri". Anketa tregon se rreth 30 për qind e evropianëve e kanë të vështirë i përballojnë shpenzimet e shërbimeve për shëndetësi, për fëmijët apo për moshën e shtyrë. Një në gjashtë familje evropiane nuk është në gjendje t'i paguajë shpenzimet thelbësore, nuk ka para për ushqim apo për nevoja tjera ditore. Komisioneri i BE-së për çështje sociale, Laslo Andor, ka konfirmuar se varfëria është problem i madh në Evropë, dhe se kriza ekonomike vetëm e përkeqëson gjendjen.
24 Qershor 2010