E Diel, 1 Nëntor 2026

Rishikimi i buxhetit, qeveria u vë gërshërën investimeve publike



Ervin KOÇI

Më 1 korrik Ministria e Financave do të bëjë një rishikim të buxhetit të shtetit duke e reduktuar atë në nivelin më të madh që nga viti 2006. Rishikimi i buxhetit 2010 dhe parametrat e tij të rinj, janë objektivi kryesor i Financave, si pasojë e mungesës së theksuar të parave. Ku proces ka nisur që në fillim të muajit qershor ku specialistët e MF-së kanë nisur nga puna për “krasitjen” e sa më shumë fondeve nga institucionet e pushtetit qendror dhe atij vendor. Burime nga MF-ja thonë për gazetën “Albania” se, “varianti më i mundshëm është ai i reduktimit të buxhetit të shtetit në rreth 40 miliardë lekë, ose 10 miliardë me shumë nga sa ishte planifikuar në fillim të vitit, kur u publikua strategjia”. Sipas të njëjtave burime mësohet se, “duke parë ecurinë e deritanishme në mbledhjen e të ardhurave, qeveria do ta ketë të vështirë të menaxhojë një situatë të tillë deri në fund të vitit, e për rrjedhojë shikohet mundësia e rishikimit të shifrave, duke prekur edhe nivelin e investimeve”. Këtë skemë të MF-së e ka përforcuar edhe deklarata e pak kohëve më parë e kryeministrit Berisha i cili tha në lidhje me këtë çështje se, “ulja e buxhetit vjen si veprim në përgjigje ndaj krizës ekonomike”. Por pavarësisht këtyre reduktimeve në shpenzime, Kryeministri do të vijojë t’i rrisë pagat dhe pensionet, duke filluar nga data 1 korrik 2010. Në total, buxheti duhet të gjejë para për 57 milionë dollarë, fatura që përballon pagat dhe pensionet e reja, ndërsa nga ana tjetër do të hiqet dorë nga rrugët, shkollat dhe spitalet, të cilat do të kenë më pak fonde në dispozicion.

Shkurtimet
Ulja e shpenzimeve në investimet publike do të jetë të paktën 20 për qind për çdo institucion, pa dallim nëse ai është i madh, i vogël, i rëndësishëm, etj. Niveli i ri i investimeve për pjesën e mbetur të vitit do të jetë rreth 25 miliardë lekë më pak, ku ministritë me buxhetin më të madh parashikohet të preken më shumë nga shkurtimet.
Kjo gjë është konfirmuar edhe nga ministri i Financave, Bode, i cili ka four qartë në lidhje me shkurtimet drastike që do t’i bëhen fondeve publike. “Aktualisht, po vihet në zbatim buxheti i miratuar në fund të vitit 2009, nga Kuvendi i Shqipërisë, sipas të cilit parashikohen rreth 410 miliardë lekë shpenzime dhe afërsisht 360 miliardë lekë të ardhura, me gati 85 miliardë lekë investime të planifikuara për të gjithë vitin”, - ka thënë ministri Bode. Tjetër ndryshim që pritet të ndodhë në buxhetin e ri të muajit korrik, është sanksionimi me ligj i deficitit buxhetor, kufiri i të cilit do të vendoset mbi normën reale të rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP). Me shkurtimin tashmë gati të zyrtarizuar, investimet publike bien në nivelin 67.4 miliardë lekë ose 25.5 për qind më pak se sa ato të vitit të kaluar. Në vlerë investimet publike këtë vit pritet të jenë më të ulëta se sa ishin 3 vjet më parë, situatë që në Shqipëri ka ndodhur vetëm njëherë më parë, saktësisht në vitin 2006, ku investimet publike në vlerë kanë qenë më të ulëta se sa ato të 2004. Por edhe pse po ul investimet, qeveria do të mbajë të paprekura shpenzimet sociale, që kanë të bëjnë kryesisht me pensionet dhe sigurimet shëndetësore, të etiketuara nga Banka Botërore si një nga arsyet kryesore për rritjen e borxhit publik.

Vendorët
Rishikimi i buxhetit si efekt i mungesës së të ardhurave në buxhet do të prekë edhe bashkitë e komunat. MF-ja po punon aktualisht për projekt-draftin e buxhetit të ri 2010, sipas të cilit, njësitë e pushtetit vendor do të kenë në dispozicion rreth 50 milionë dollarë më pak nga sa ishte paraqitur në buxhetin e fillim-vitit. Në këtë mënyrë, pushteti vendor, përveç problemeve me mbledhjen e të ardhurave dhe mosmarrëveshjeve për miratimin e buxhetit nga këshillat, duhet të përballojë edhe shkurtimet e shpenzimeve që rekomandohen nga institucionet qendrore.

Shpenzimet
MF-ja ka bindur Kryeministrin për shkurtimet e buxhetit në korrik si efekt i krizës, por jo mosrritjen e pagave dhe pensioneve. Nisur nga kushtet aktuale të financave, Kryeministri ka pranuar hapur se çdo institucioni do t’i reduktohet buxheti me të paktën 20 për qind, megjithatë nuk përjashtohet mundësia që ndokujt t’i preket fondi më shumë se parashikimi. Sa u takon bashkive dhe komunave, propozimi i MF-së është për një reduktim të buxhetit me të paktën 50 milionë dollarë, ku njësitë më të mëdha vendore do të jenë më të prekurat. Deri tani MF-ja konfirmon shifrën totale të reduktimit të buxhetit në tërësi, që është rreth 300 milionë dollarë, ku 250 milionë u takojnë investimeve dhe nga 50 milionë u takojnë shpenzimeve korrente dhe pushtetit lokal.

24 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›