E Diel, 1 Nëntor 2026

Kasat fiskale, sa kushtojnë dhe cilat janë modelet më të përshtatshëm



Ervin KOÇI

Procesi i instalimit të kasave fiskale te subjektet e biznesit pagues të TVSH-së, është bllokuar përkohësisht por shitja e pajisjeve vijon. Dy kompanitë e licencuara, për të tregtuar pajisjet fiskale pretendojnë se e kanë marrë autorizimin për kalimin e testit fizik të pajisjeve të tyre nga Ministria e Financave. Ato aktualisht po vijojnë shitjen e pajisjeve por instalimi te bizneset nuk po kryhet ende, pasi akoma shoqëritë janë të paqarta për procedurat. Çmimi aktual i pajisjeve fiskale (kasave) varion nga lloji i biznesit, por përgjithësisht ai luhatet nga 450 -800 euro. Më së shumti, tarifa lidhet edhe me vetë kërkesën e biznesit për ta pasur pajisjen sa më efikase dhe bashkëkohore. Sipas përfaqësuesve të kompanive që tregtojnë këto pajisje, kasat më të tërhequra nga subjektet, kryesisht bizneset e vogla janë ato që kushtojnë edhe më lirë, pra nga 450-500 euro, por ka edhe të tjerë subjekte që po blejnë ose kanë blerë kasa mbi këto çmime. Aktualisht në vend ushtrojnë aktivitetit privat rreth 90 mijë biznese, ku gati 85 për qind prej tyre janë tatimpagues të vegjël me TVSH. Tatimet nuk do të tolerojnë asnjë subjekt biznesi, i cili pas datës 30 qershor 2010 do të kapet pa pajisjet fiskale. Kjo datë shënon edhe afatin e fundit të përcaktuar nga Ministria e Financave për biznesin e vogël që paguan TVSH, që të pajisjet me kasat fiskale. Deri më 30 qershor, detyrimin për t'u pajisur me kasa fiskale e kanë personat e regjistruar në biznesin e vogël, të cilët ushtrojnë veprimtari në bashkitë e Tiranës, të Durrësit, Vlorës, Gjirokastrës, Fierit, Lushnjës, Beratit, Sarandës, Korçës, Pogradecit, Elbasanit, Shkodrës e Lezhës. Po brenda këtij afati janë të detyruar të mbajnë regjistrime, nëpërmjet pajisjeve fiskale edhe tatimpaguesit e biznesit të vogël në komunat Shëngjin, Golem, Rashbull, Orikum, Himarë dhe Ksamil.

Kasat praktike
Financat kërkojnë nga kompanitë që pajisin bizneset me kasa fiskale, që të mundësojnë programe të cilat lejojnë ndryshimet në vlerën e çmimit në momentin e shitjes. Pra subjekti të ketë mundësi ta rrisë apo ulë çmimin e produktit në momentin e shitjes pavarësisht vlerës që është regjistruar fillimisht në serverin qendror të biznesit. Ky veprim është i vlefshëm vetëm para se të printohet kuponi tatimor. Në rastet e anulimit të kuponit tatimor, subjekti duhet ta ruajë atë deri në momentin e raportimit në organet tatimore. Krahas regjistrimit të shitjeve, me anë të kasës fiskale biznesi do të bëjë një raport ditor të aktivitetit të tij të cilin do ta nisë në formë elektronike në serverin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Pjesë e raportit do të jenë, numri i klientëve të shërbyer gjatë ditës dhe xhiroja ditore. Krahas kësaj, biznesi është i detyruar të raportojë edhe mënyrën se si është bërë pagesa. Pra pjesë e raportit do të jetë edhe sasia e parave që janë në arkë në fund të ditës nga e cila do verifikohet se sa pagesa janë bërë me para në dorë dhe sa në formë elektronike. Me udhëzimin e lëshuar, MF-ja synon të përcaktojë me detaje formën me të cilën do të pajisen bizneset me kasa fiskale, si dhe mënyrën e funksionimit të tyre. Fillimisht MF-ja i kërkoi shoqërive të autorizuara që të verifikojnë procesin e certifikimit të pajisjeve fiskale, sistemeve si dhe mënyrës së lidhjeve nëse janë konform përcaktimeve të bëra nga qeveria. Në rast të përballjes me shkelje duhet bërë zëvendësimi i pajisjeve me shpenzimet e shoqërive.

Mirëmbajtja
Subjektet tatimpaguese, të cilat tregtojnë apo mirëmbajnë pajisje fiskale te subjektet e tjera tatimpaguese, pa qenë të licencuara nga ministri i Financave, dënohen me gjobë, në masën 1.000.000 (një milion) lekë, ndërsa shoqëritë, që blejnë dhe përdorin pajisje të tilla fiskale, dënohen me gjobë, në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë dhe sekuestrim të pajisjes fiskale. Në rast se organet tatimore kanë të dhëna të besueshme se tatimpaguesi fsheh informacione për gjendjen e tij ekonomike-financiare, organet tatimore kanë të drejtë t’ia sekuestrojnë dokumentacionin, pajisjet, kompjuterike dhe fiskale, si dhe mjete të tjera të mbajtjes së dokumentacionit të tatimpaguesit në mjediset e ushtrimit të veprimtarisë së tij. Gjatë lëshimit të kuponit tatimor, krahas stampimit mbi letër, si dhe ruajtjes në kujtesën elektronike të pajisjes, të dhënat do të depozitohen edhe në një pajisje tjetër të quajtur “shiriti i kontrollit elektronik” për t'u administruar më pas nga autoritetet tatimore. Madje, sipas udhëzimit të lëshuar së fundmi nga MF-ja, kasa fiskale nuk duhet të punojë në rast se nga persona të paautorizuar tentohet të hiqet “shiriti i kontrollit elektronik”, i cili regjistron në mënyrë të pavarur çdo kupon tatimor që lëshohet nga biznesi. Kjo pajisje funksionon për një periudhë disa vjeçare dhe në fund, të dhënat e regjistruara në të vilen dhe administrohen nga autoritetet tatimore të cilat njëkohësisht bëjnë edhe verifikimet midis veprimeve që janë incizuar aty dhe të dhënave që janë dërguar tek serveri i tatimeve. Në këtë mënyrë, financat kërkojnë t'i ndërpresin rrugën ndërhyrjeve të bizneseve apo personave të tjerë në të dhënat e ruajtura nga kasat fiskale.

Kuponi tatimor, mosmarrja penalizon edhe blerësin

Në të njëjtin proces si me kasat fiskale duhet të ecë edhe iniciativa e tatimeve për të bindur biznesin që për çdo mall apo shërbim të shitur duhet të lëshojë kupon tatimor, pra faturën. Bashkëngjitur me vendimin për pajisjet fiskale, Drejtoria e Tatimeve u bën thirrje të gjitha bizneseve në rang vendi që çdo lëvizje të brendshme të mallrave nga magazina në magazine, nga magazina në dyqan apo anasjellas, në rastin e shitjeve derë me derë, në raste furnizimesh të mëdha, ku kërkohen disa mjete dhe ngarkesa transporti, duhet shoqëruar me faturë, e cila gjendet pranë Drejtorive Rajonale Tatimore ku janë të regjistruar. Mosmarrja e kuponit tatimor (faturës së mallit) e penalizon edhe blerësin ose përfituesin e shërbimit, përveç subjektit. Sipas ligjit: “Blerës, ose përfitues i shërbimit, i cili gjatë kontrollit në distancat e parashikuara me udhëzim të ministrit të Financave, nga vendi i shitjes apo ofrimit të shërbimit, nuk gjendet i pajisur me kupon tatimor, dënohet me gjobë të barabartë me 1000 lekë. Konstatimi, shqyrtimi dhe dënimi i shkeljes së parashikuar në këtë nen bëhet nga organet e administratës tatimore”.

Kuponët tatimorë, subjektet që përjashtohen nga detyrimi i përdorimit

Jo të gjithë bizneset në vend do të jenë të detyruar që të kenë një kasë fiskale dhe t’u japin klientëve kupon tatimor. Sipas ndryshimeve të miratuara së fundmi nga qeveria, kuponi tatimor nuk do të jetë i detyrueshëm për shitësit në tregjet e miratuara nga pushteti lokal, për ata që konsiderohen si ambulant, apo dhe për bizneset që janë në zona të thella malore me popullim më të vogël se 300 banorë, por me kushtin që të mos jenë zona turistike. Kupon tatimor fiskal nuk do të japin as pronarët e autobusëve apo furgonëve.
MF-ja bëri një ndërhyrje të re në procesin e pajisjes së bizneseve me kasa fiskale duke përcaktuar me detaje se si kompanitë e autorizuara për shpërndarjen e tyre, duhet të rregullojnë mënyrën e funksionimit të pajisjes, formatin e kuponit tatimor, pajisjet e sigurisë, etj.

Modelet
Disa lloje kasash që përdoren nga subjektet e biznesit

1. Kasa Fiskale “GRILLO”, çmimi 550 euro me Modem
E thjeshtë në përdorim, raport optimal cilësi-çmim, shumë kompakte.
Të dhëna të tjera:
-Ekran LCD alfanumerik, klienti dhe operatori i inkorporuar në pajisje
-Tastierë e personalizuar e programueshme në funksion të kërkesës
-Printer për rul letre termike 58mm e gjatë që lejon lexim të qartë
-Një portë seriale për Modem GPRS, Peshore elektronike, Lexues barkodi
-30 Reparte të programueshëm
-1800 raporte tatimore ditore
-Lëvizje kontabël si tërheqje, depozita, paradhënie dhe kupon tatimor për fatura
-Koha e karikimit të baterisë 8 orë, stadn by 40 orë, në regjim pune rreth 1000 kupona
-E pajisur me sistem QSHKE*, me kapacitet 32MB, 230000kupona.

2. Kasa Fiskale “POINT”, çmimi 500 euro me Modem
Kompakte dhe e thjeshtë në përdorim në respekt me zhvillimin teknologjik
Të dhëna të tjera:
-Ekran LCD alfanumerik, klienti dhe operatori i inkorporuar në pajisje
-Tastierë e personalizuar e programueshme në funksion të kërkesës
-Printer për rul letre termike 58mm e gjatë që lejon lexim të qartë
-Një portë seriale për Modem GPRS, Peshore elektronike, Lexues barkodi
-30 Reparte të programueshëm
-1800 raporte tatimore ditore
-Lëvizje kontabël si tërheqje, depozita, paradhënie dhe kupon tatimor për fatura
-Koha e karikimit të baterisë 8 orë, stadn by 40 orë, në regjim pune rreth 1000 kupona
-E pajisur me sistem QSHKE*, me kapacitet 32MB, 230000kupona.

3. Kasa Fiskale “NESSO”, çmimi 470 euro me Modem
I referohet klientëve të vëmendshëm ndaj ofertave me çmim të ulët.
Të dhëna të tjera:
-Ekran LCD alfanumerik, klienti dhe operatori i inkorporuar në pajisje
-Tastierë e personalizuar e programueshme në funksion të kërkesës
-Printer për rul letre termike 58mm e gjatë që lejon lexim të qartë
-Një portë seriale për Modem GPRS, Peshore elektronike, Lexues barkodi
-30 Reparte të programueshëm
-1800 raporte tatimore ditore
-Lëvizje kontabël si tërheqje, depozita, paradhënie dhe kupon tatimor për fatura
-Koha e karikimit të baterisë 8 orë, stadn by 40 orë, në regjim pune rreth 1000 kupona
-E pajisur me sistem QSHKE*, me kapacitet 32MB, 230000kupona.

24 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›