E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Don Carlos”, suksesi i takon potencës mashkullore

SHKRUAN: Aida Tuci 25-05-2011 11:42

“Don Carlos”, një vepër muzikalisht e paarritshme, siç e cilësoi vetë mjeshtri italian Gianluca Matinenghi, arriti të përcillte mbrëmë në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit atmosferën e viteve 1568, atëherë kur nënshkruhej traktati i paqes mes Spanjës dhe Francës. Kryevepra e Verdit, premierë absolute nën regjinë e Nikolin Gurakuqit, solli para publikut emra të njohur të skenës operistike botërore. Bass baritoni Victor Garcia, Sierra në rolin e mbretit të Spanjës, dukej më shumë se komod, një rol që ai e ka interpretuar edhe në skenat italiane dhe tashmë e ka pjesë të repertorit të tij. Ndërsa për tenorin Leonardo Gramenga roli i Don Carlos (i biri i mbretit të Spanjës) ishte një tjetër sfidë e re operistike për të, ashtu si vite më parë kur ai ngjitej për herë të parë në skenën e teatrit të Operas dhe Baletit në rolin e Otellos, përkrah sopranos shqiptare Marjana Leka. Një zë potent, që dominoi dukshëm mbi Elisabetën e tij, që interpretohej nga sopranoja shqiptare Sonila Baboçi. Duke qenë një opera e vështirë për skenën modeste të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, premiera i ishte besuar të huajve që vijnë me një eksperiencë më të madhe në vënien në skenë të operave të klasifikuara si të vështira edhe për skenat më prestigjioze në botës. Kësisoj, “Don Carlos” e interpretuar në gjuhën e Verdit, ishte si të shihje një opera të huaj, por në skenën shqiptare, sepse dhe pjesa më e madhe e këngëtarëve lirikë që u ngjitën në skenë vinin nga jashtë Shqipërisë, kryesisht nga Italia, por dhe nga Venezuela dhe Maqedonia. Skenografia dhe kostumet e realizuara nga Alfredo Troisi, një prej emrave më të spikatur artistik në Verona, plotësonin panoramën ndryshe të vënies në skenë të një vepre operistike. Një skenografi ku luhej më së shumti me ngjyrat dhe simbolet. Troisi vetëm pak javë më parë do të ishte në qendër të kritikës për kostumet e mrekullueshme dhe skenografinë në operan “Toska” të Puçinit, që u shfaq në Teatrin ‘Verdi’ në Salerno. Po aq të mrekullueshme dhe plot sharm ishin dhe kostumet që ai kishte sjellë për operan “Don Carlos”. Ndërkohë që për mjeshtrin Gianluca Martinenghi ishte hera e parë që merrte përsipër të dirigjonte një opera muzikalisht ndër më të vështirat. “’Don Carlos’ muzikalisht është një vepër e paarritshme në disa pjesë të saj, për këtë arsye kjo opera edhe pse është një kryevepër, nuk është pjesë e repertoreve si “Traviata” apo vepra të tjera të Xhuzepe Verdit. Unë personalisht, edhe pse e njoh shumë mirë këtë vepër, për herë të parë e ekzekutova të tërë veprën pikërisht sonte në premierën absolute të Teatrit të Operas dhe Baletit. Falenderoj drejtuesit e TKOB-së që më dhanë mundësinë që për herë të parë të realizoj nga fillimi në fund operan ‘Don Carlos’”- u shpreh mjeshtri koncertues Gianluca Martinenghi. Opera ‘Don Carlos’ është dhe opera më e gjatë e shkuar nga Xhuzepe Verdi, që përbën një tjetër vështirësi për vënien në skenë të saj. Ndërkohë, dirigjenti italian ka qenë disa herë i ftuar në Teatrin e Operas dhe Baletit, ku ka drejtuar te “Madamme Butterfly”, “Lucia di Lamermur” etj. Por edhe pse pjesa më e madhe e realizuesve të operas “Don Carlos” i ishte besuar të huajve, për anën regjisoriale, drejtori i TKOB-së, Zhani Ciko, ka besuar si gjithmonë te mjeshtëria e Nikolin Gurakuqit, i cili edhe mbrëmë mori vlerësimin dhe duartrokitjet e publikut shqiptar. Përveç solistes Sonila Baboçi, protagoniste në rolin e Elisabetës, këngëtarët lirikë shqiptarë kishin role dytësore në këtë opera. Në fakt zëri potent i protagonistëve meshkuj ka zbehur dukshëm rolin e sopranove në skenë.

Me pak fjalë, ngjarjet e dramës, me libret të Josef Meri dhe Kamil du Lukle, zhvillohen në vitin 1568 në kohën e traktatit të paqes mes Spanjës dhe Francës. Trashëgimtari i fronit të Spanjës, Don Carlos, pret të martohet me princeshën franceze, si shenjë pajtimi mes dy vendeve, por kjo do të jetë e pamundur, pasi Elisabeta do të martohet me Filipin II, mbretin e Spanjës dhe të atin e Don Carlosit. Fundi tragjik edhe në këtë vepër të Verdit vjen me vdekjen e heroit. Opera “Don Carlos” do të vijojë të shfaqet për publikun që ka humbur premierën e mbrëmshme, në datat 26, 28 dhe 30 maj. Për vënien në skenë të kësaj opere ka dhënë kontributin e saj Cez Shpërndarje, Eagle Mobile dhe Tirana Bank, që ishin ndër mbështetëset kryesore në aktivitetin artistik të radhës në Teatrin e Operas dhe Baletit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›