Faza e dytë, dërgimi i dokumentacionit për vizën
Nga data 1 deri më 31 korrik, studentët që kanë bërë kërkesën për pararegjistrim, duhet t’i dorëzojnë Ambasadës Italiane, përmes Albanian Courier, Dëftesën e Pjekurisë ose diplomën universitare të legalizuar (nëse nuk janë dorëzuar në fazën e parë) si dhe dokumentacionin e nevojshëm për lëshimin e vizës. Në fazën e dytë nuk do të jetë e nevojshme që studentët të paraqiten personalisht në Ambasadë: të interesuarit do të dorëzojnë në zarf dokumentacionin e nevojshëm përmes zyrës më të afërt të Albanian Courier. Dokumentet që duhet të dorëzohen janë: formulari për kërkesën e vizës, tërësisht i plotësuar dhe firmosur, me një fotografi të bashkëngjitur; deklaratë mbi të dhënat personale, të plotësuar me datë e firmë; pasaportë e vlefshme mbi tre muaj pas skadencës së vizës së kërkuar; kopje e faqes së pasaportës me të dhënat personale; kopje të faqeve me viza të tjera Schengen; deklaratë për vendbanimin në Itali: në rast qëndrimi pranë një personi privat nevojitet deklaratë strehimi për 365 ditë, fotokopje e dokumentit të identitetit me firmë [për shembull, nëse është shtetas i huaj, lejen e qëndrimit (permesso di soggiorno) ose faturat e rinovimit; nëse është shtetas i BE-së, pasaportën ose kartën e identitetit]; në rast qëndrimi pranë enteve apo institucioneve fetare kërkohet deklaratë strehimi për 365 ditë dhe një fotokopje e dokumentit të identitetit me firmë të ftuesit;
në rast qëndrimi në hotel duhet prenotim hoteli për qëndrim jo më të shkurtër se një muaj; sigurim shëndetësor për udhëtim i vlefshëm nga data 24.08.2011 deri më 31.01.2012 (në dy kopje); faturë bankare: deklaratë origjinale nga një bankë italiane në Shqipëri që të vërtetojë derdhjen e pakthyeshme në favor të vetë studentit, me vlerë 4 500 euro. Banka duhet të deklarojë transferimin e kësaj depozite në filialet e saj në Itali. Shuma e depozituar mund të zhbllokohet vetëm nëse Ambasada Italiane deklaron se të interesuarit i është refuzuar viza për studim/universitet ose i interesuari ka hequr dorë nga kërkesa për vizë. Nëse studentët plotësojnë kërkesat e parashikuara nga normativa dhe në rast pranimi nga universitet italiane, Ambasada Italiane do të lëshojë vizën për studim/universitet. Pasaportat do t’u kthehen të interesuarve përmes korrierit postar Albanian Courier, bashkë me dokumentacionin origjinal që studentët duhet të paraqesin pranë universitetit në Itali. Për ridorëzimin e dokumenteve, studentët duhet t’i paguajnë korrierit një tarifë prej 198 lekësh, nëse banojnë në Tiranë, dhe 300 lekësh nëse banojnë në qytete të tjera. Procesi i ridorëzimit të pasaportës dhe dokumentacionit të legalizuar do të kryhet brenda muajit gusht 2011 dhe vizat për studim/universitet do të jenë të vlefshme nga data 24 gusht deri më datën 31 janar 2012. Në fund, Ambasada Italiane sqaron se këto informacione janë të vlefshme vetëm për juridiksionin e Zyrës Konsullore të Ambasadës Italiane në Tiranë, pra për banorët e qyteteve të mëposhtme: Tiranë, Durrës, Kavajë, Peqin, Elbasan, Gramsh, Librazhd, Bulqizë, Mat, Krujë, Kurbin, Pogradec, Korçë, Devoll dhe Kolonjë. Studentët që nuk janë rezidentë në këto rrethe duhet t’i drejtohen Konsullatës së Përgjithshme Italiane në Vlorë ose Konsullatës Italiane në Shkodër.