Don Ramosaj që s’bashkoi dot LDD-në me LDK-në
Po ta shikosh spektrin e sotëm partiak, sidomos atë parlamentar, të duket sikur kemi të bëjmë me një popull aq të përçarë politikisht, sa që konsensusi i nevojshëm për interesa nacionale duket thuajse i pamundur.
Por, ne, thjesht, e dimë se nuk është ashtu. Ne, thjesht, e dimë se pamja që ofron struktura partiake e Kuvendit të Kosovës nuk i pasqyron pikëpamjet dhe qëndrimet e identifikueshme të elektoratit. Ne, thjesht, e dimë se ajo ndarje në pesë parti kryesore - me ca parazitë të bashkangjitur në organizmat e tyre - pasqyron në radhë të parë interesat e grupeve të ndryshme të elitës politike dhe jo atë që ndodh në botëkuptimin politik të elektoratit. Prandaj, ideja e Berim Ramosajt më pëlqeu, sado që prej fillimi dukej nga pak donkishotiane.
Por, t’i lëmë anash thashethemet se Ramosaj ishte pjesë e një intrige dhe se shumë shpejt do ta fitojë një post ministror nga LDK-ja. Ramosaj megjithatë ka hapur një temë relevante.
Kjo është tema e defragmentarizimit. Kështu siç është, as elektorati, por as ekonomia kosovare, nuk mund ta përballojnë mbajtjen e pesë partive që synim të vetëm kanë që të bëhen pjesë e pushtetit, dhe jo që ta bëjnë vet pushtetin, duke i zbatuar konceptet dhe programet e tyre. Është krejt e qartë, besoj, se fragmentarizimi i tashëm i kampeve tona politike, është, megjithatë, deri diku i justifikueshëm. Fragmentarizmi i këtillë i kampeve të identifikueshme politike është gjithsesi një rezultat i historisë sonë politike, e cila kaloi sfida të jashtëzakonshme që ndërlidheshin jo vetëm me garën e LDK’së në vendosjen ose humbjen e kontrollit në terren, në kohë lufte ose pas saj, por edhe me ndikimin e huaj, i cili ishte sa komplementar me realitetet që i krijonim vet, aq edhe vendimtar në përcaktimin e balancave të reja.
Mirëpo, ajo që inspironte tek ideja e Ramosajt ishte përpjekja që kjo gjendje të nisë të tejkalohet. Ajo ide ashiqare shkonte në interes të të gjithë elektoratit kosovar. Por, tema ime e vërtetë nuk është fati i elektoratit të dikurshëm të Rugovës. Tema ime është parashikueshmëria e jetës politike, parashikueshmëria e ndërtimit të pushtetit.
Disa ilustrime. Nuk besoj se votuesit e LDK-së do t’ia kenë dhënë votën asaj, në mënyre që Hashim Thaçi të bëhej kryeministër. Po ashtu, nuk besoj që votuesit tipikë të PDK-së e AAK-së do ta kenë dashur si president të vendit dikur Rugovën, e tash Sejdiun.
Shkurt, me sistemin dhe praktikën e deritashme politike, procesi i krijimit të pushtetit është bërë krejt i paparashikueshëm, duke qenë se ai është thuajse plotësisht i shkëputur nga cilido verdikt i elektoratit. Ashtu siç e shoh unë problemin, që gjërat të ndërrojnë për të mirë, që elektorati të dijë se kujt saktësisht ia jep ose nuk ia jep votën, duhet që Kosova të ketë dy blloqe të identifikueshme politike, dy koalicione, nëse jo edhe dy parti të vetme parlamentare – të cilat do ta ndërronin njëra tjetrën në pushtet, varësisht nga sukseset ose dështimet e tyre.
Të gjitha skemat tjera e prodhojnë paparashikueshmërinë. Por, mund të thuhet, i tillë është sistemi proporcional zgjedhor - ne japim votën, ndërsa tjerat pastaj i bën “matematika ligjore”.
Ndoshta!
Por, a nuk e pamë të gjithë suksesin e modelit mazhoritar të zgjedhjeve për kryetarë të komunave?...
Është krejt e qartë se bashkimi i LDD’së me LDK’në është në interes të elektoratit që vazhdon të kultivojë ndjenja rugoviste dhe se një bashkim i tillë do ta kthente atë krah politik ndoshta edhe në krye të vendit.
Por, pse nuk ndodh kjo? Nuk besoj se përgjigjen e vërtetë duhet kërkuar tek egoja e Dacit, ose Sejdiut. Besoj se përgjigjen duhet kërkuar në sistemin dhe praktikën politike çfarë e kemi. Është vetë ky sistem që e bënë të panevojshëm një afrim strategjik - nëse jo edhe unifikim të plotë dhe shkrirje midis atyre dy partive simotra. Sepse, po që se këto parti dalin me mbi 10 për qind të votave, që të dy elitat politike mbeten në lojë më të gjitha kapacitetet për t’u bërë pjesë e cilësdo qeveri, qoftë ajo e Thaçit, qoftë e Haradinajt. Krejt njëjtë! Në rrethana tjera, kur një 10 përqindësh do të thoshte dështim elektoral dhe pamundësi për qasje në strukturat e pushtetit, elitat partiake vetiu do të bëheshin pragmatike dhe do të arrinin t’i amortizonin, ose eliminonin, interesat egoiste të shefave, duke ecur tutje drejt interesave madhore partiake.
Por, ne nuk jetojmë në një sistem të tillë politik. Këtu, kapaciteti për pjesëmarrje në koalicione qeveritare paraqet fuqinë vitale partiake, për shumëçka edhe më të rëndësishme sesa vet numri i votave që ato i marrin në zgjedhje. Prandaj, në rastin dhe në praktikën e saj kosovare, ky sistem zgjedhor ka prodhuar ndjenjën e pafuqisë së elektoratit dhe të publikut në pjesëmarrje në vendime. Dhe, kjo reflektohet, veç tjerash, edhe në mungesën e nevojës reale për ekzistimin e opozitës klasike, e cila do t’i unifikonte në mënyrë publike dhe legjitime të gjithë të pakënaqurit me pushtetin. Dhe, në një shtet ku nuk ka opozitë relevante, ose ku shuhen arsyet dhe motivet për qëndrime dhe aksione opozitare, demokracia është në rrezik. Mund të jetë që sistemi zgjedhor që kemi të jetë ideal në teori, por kjo mua nuk më intereson shumë. Ajo që më duket më e rëndësishme se debatet teorike është fakti se po e shohim që partitë tona janë tërësisht të fokusuara në mbushjen e nevojshme të kutive dhe në bërjen, ose ruajtjen, e koalicioneve të mundshme, dhe se fokusi i tyre drejt elektoratit pra, rrjedhimisht, përgjegjësia dhe llogaridhënia serioze publike, janë zbehur thuajse plotësisht. Nëse zgjedhjet e sivjetme lokale e rikonfirmojnë këtë vlerësim, atëherë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare rishqyrtimi i sistemit zgjedhor do të jetë i domosdoshëm.
Jo për shkak të ndonjë ideali përrallor të demokracisë, por pikërisht për shkak të stabilitetit që vazhdon të potencohet deri në karikaturë!
...