E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksionet anti kanabis, bllokohet kamioni me ujë

Policia e Gjirokastrës ka bërë të mundur bllokimin e një tjetër kamioni të ngarkuar me 3 çisterna plastike me ujë nga 2 ton, në tentativë për të hyrë në Lazarat për të ujitur bimët narkotike. Në Gjirokastër – Dervicjan policia patrullon 24 orë. 

GJIROKASTER- Lazarati, kryeqendra e kultivimit të bimëve narkotike bëhet sërish pjesë e aksioneve nga policia e Gjirokastrës e cila ka bërë bllokimin e një tjetër kamioni të ngarkuar me 3 çisterna plastike me ujë nga 2 ton, në tentativë për të hyrë në fshatin e Lazaratit.
Rreth orës 09.00 të mëngjesit të sotëm në aksin rrugor Gjirokastër - Dervicjan, në vendin e quajtur Kordhocë, shërbimet e policisë bllokuan kamionin i cili shërben për transport mallrash, ku destinacioni nga drejtuesi i automjetit ishte ujitja e bimëve narkotike. Në këtë aks forcat e policisë patrullojnë 24 orë duke bërë të mundur bllokimin e të gjitha automjeteve që tentojnë të futen në fshatin Lazarat.
Si rezultat i këtyre kontrolleve gjatë muajit Korrik janë bllokuar 24 kamioncina, ndër ta 8 të ngarkuara më cisterna uji dhe 16 të ngarkuara me pleh organik.
Kamioni i bllokuar ditën e sotme, mbahet i bllokuar në ambjentet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut ndërsa mësohet se në momentin e bllokimit nga policia, drejtuesi i mjetit nuk dispononte dokumentacionin përkatës të automjetit.

(e.n/News24/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›