Presidenca suedeze e BE-së rikonfirmon integrimin e Shqipërisë në BE si prioritet të gjashtëmujorit të saj

Kryeministri Sali Berisha ka pritur dje të ngarkuarën me punë të Mbretërisë Suedeze në Tiranë, Elizabeth Stam, të cilën e ka garantuar se qeveria e tij po ndërmerr reforma të rëndësishme, të cilat do të përshpejtojnë lëvizjen e lirë në vendet e zonës “Schengen”
Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim të ngarkuarën me punë të Mbretërisë Suedeze në Tiranë, Elizabeth Stam, e cila i prezantoi kryeministrit prioritetet dhe programin e punës së presidencës suedeze të Bashkimit Evropian, për 6-mujorin e ardhshëm. Pasi i uroi mirëseardhjen, kryeministri Berisha i bëri me dije zonjës Stam se qeveria shqiptare është tërësisht e angazhuar dhe po punon për të përmbushur të gjitha standardet dhe kriteret, për të ecur me shpejtësi drejt integrimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Për sa i takon liberalizimit të vizave, shefi i ekzekutivit garantoi se qeveria që ai drejton po ndërmerr masat dhe reformat e rëndësishme, për të realizuar lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në hapësirat evropiane
Nga ana e saj, e ngarkuara me pune e Mbretërisë suedeze në Tiranë, Elizabeth Stam, e siguroi kryeministrin Berisha për përkrahjen e plotë të Suedisë dhe presidencës suedeze të Bashkimit Evropian, për të gjitha përpjekjet e qeverisë shqiptare për hapat e mëtejshme në rrugën e integrimit evropian. BE dhe Presidenca Suedeze do të vazhdojnë të mbështesin fuqishëm perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor çka u rikonfirmua edhe një herë në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së, të mbajtur dy ditë më parë në Bruksel. Në këtë mbledhje, ministrat e Jashtëm të BE-së ranë dakord që kërkesa e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat të shqyrtohet menjëherë, pasi të përfundojnë procedurat e lidhura me zgjedhjet e përgjithshme.
Duke e falënderuar zonjën Stam për mbështetjen që Suedia i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë për integrimin në BE, kryeministri Berisha shprehu edhe njëherë bindjen e thellë të qeverisë shqiptare se ky duhet të jetë një proces i bazuar krejtësisht në performancën individuale.
...