Droja e konspiracionit politik, para vendore të Kosovës

Sa më të vogla komunat, konspiracioni politik bëhet edhe më i thellë. Por çfarë niveli paska, or burrë, “konspiracioni politik” komunal, kur dihet se politike bëhet në qendër, në realitet ekzekutohet në qendër, kurse projektohet në një qendër edhe më të madhe se qendra që e njohim ne. Fundja ku mund të flitet për “konspiracione politike” kur ato janë karakteristikë e diktaturës, e jo e demokracisë. Në demokraci garanci e lirisë është pikërisht transparenca, e jo konspiracioni, se konspiracioni politik menjëherë ta përkujton “gjendjen e jashtëzakonshme” policore. Sa më të vegjël janë njerëzit, aq më të madhe e kanë frikën, dhe nëse ti kërkon që ata të prononcohen për transparence mediale, pranojnë prononcime që nuk xhirohen me ndonjë mikrofon të fshehur në xhepin e sakos, ose të instaluar në dhëmbët e gojës. Zi e ma zi ta bojatisin situatën, ndonëse nuk kanë “fjalorë” që ta ndërtojnë sintaksën shprehëse që do ta pikturonte zonën e muzgut politik në provincë. Këtyre ua kanë futur lepujt në bark me kohë, UDB-ëja ua ka shqyer maçorrin me kohë, kështu që ata e kanë të qartë se “fjala ta ha kryet” ndaj “neme lazem” t’i fusësh ferrë thembrës së shëndoshë të mentalitetit provincial. Periferia politike ndërkaq e bën shumësin e opinionit memec që nuk mund të flasë haptas që të mos e prishë punën me ata të mëdhenjtë e komunës, se këta të mëdhenjtë e komunës, janë në lidhje me të mëdhenjtë e qendrës, kurse të mëdhenjtë e qendrës, me të mëdhenjtë e botës jallane. Pra ku është fakti: frika kolektive që e ka pllakosur këtë milet, ajo frika që është koordinatori i vetëm i ruajtjes së status quos së gjendjes katastrofale politike dhe ekonomike në Kosovë. Ky është ai stimulator që arsimon lojalitetin qytetar të dëgjueshmërisë së imponuar me mjetet e sofistifikuara të “policisë shpirtërore”, ky është ai stimulatori që në këtë status quo nuk lejon paraqitjen e ndonjë lëvizjeje alternative politike, sepse kushdo që bashkohet me ata që kritikojnë “miqtë ndërkombëtarë” është persona non grata, por i një shkalle që shkel në dërrasën e kalbur të tradhtisë kombëtare “kosovare”. Pra, si në kohën e sistemeve staliniste, konspiracioni politik tashmë është shndërruar në psikologji kolektive. Mirë është puna nëse shfaqet opinioni publik, e në opinionin konspirativ, puna është ashtu si është në të vërtetë, ashtu si tregon gjendja shpirtërore dhe materiale e çdo qytetari të Kosovës që ka rënë në këtë dekadencë të krizës. Pse burrë s’po flet, kur po thua se është e vërtetë? Po frikohem. Po nga kush frikohesh? Nuk e di, thotë, dhe e kthen kokën rrotull duke “kontrolluar” skenën mos e dëgjoi kush rastësisht pakënaqësinë e tij. Sot është patriotizëm të deklarosh se je i kënaqur dhe se ti, po të ishte gjallë heroi Adem Jashari, dhe po ta takoje rastësisht do t’i thoshe “Bac u kry”! Por kur thua “është mirë”, por bën “ishalla bëhet më mirë”, kjo ndajshtesa “më mirë” është një kohë e ardhshme, se kur të bëhet krejt mirë, atëherë mbase mund të thuash “Bac u kry”!
...