Donacionet me kusht
-490x320.jpg)
Kosova detyrimisht do të hyjë në programe financiare me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Përndryshe rrezikon t’i humb 213 milionë euro donacione direkt për buxhet të premtuara nga Komisioni Evropian dhe Banka Botërore në konferencën e donatorëve një vit më parë.
Ministri i Ekonomisë dhe i Financave, Ahmet Shala, thotë se tashmë kanë marrë garanci nga Fondi, i cili u ka dërguar letër Komisionit Evropian dhe Bankës Botërore, se në vlerësimin e fundit Kosova ka qenë pozitive sa i përket përmirësimeve në politikat financiare dhe buxhetit.
“Ka qenë kusht që ato para do të derdhen nëse ne do të hyjmë në program me FMN-në dhe ai program do të negociohet diku në fund të muajit janar ose në fillim të muajit shkurt”, ka pohuar Shala.
Këta donatorë, sipas tij, kanë dashur që fondi të ketë një vlerësim real për buxhetin, politikat financiare, Ligjin për huat publike dhe Ligjin për BQK-në.
Afati i fundit për të dhënë këtë përgjigje ka qenë 13 dhjetori, në të kundërtën do të humbej rata e parë e donacionit prej 50 milionë eurosh.
Shala thotë se suksesshëm është negociuar me Fondin dhe është arritur që buxheti dhe kërkesat tjera të harmonizohen me standardet e këtij institucioni financiar ndërkombëtar.
Megjithatë, ende nuk dihet se cili do të jetë ai program që do të hyjë Kosova me FMN-në për t’i zhbllokuar donacionet.
“Tash me fondin do të hyjmë në program për të gjetur modelet e financimit të një projekti zhvillimor”, thotë Shala.
Ndërkaq, aranzhmani tjetër i shumëpërfolur, në takimin vjetor të FMN-së dhe Bankës Botërore në shtator që u mbajt në Stamboll, sipas kreut të financave të Kosovës do të negociohet gjatë pjesës së parë të vitit 2010.
Një aranzhman njëvjeçar, Shala thotë se do të jetë i nevojshëm për të mbuluar deficitin buxhetor dhe për të mbuluar ato zbrazëtira që dalin nga reformat që do të kërkojë Fondi.
“Shpresojmë të jetë për 1 vit ose një vit e gjysmë për kredi të buta. Ne do të kualifikohemi për programe që ofrojnë fonde gjysmë donacione, gjysmë kredi komerciale”, është shprehur Shala.
Ai thotë se ky është synimi i qeverisë, që të nxisë rritjen ekonomike, e cila parashihet për vitin e ardhshëm të jetë mbi 5 për qind.
Diskutimet për këtë “stand by arangement”, sipas Shalës, do të përfundojnë në fund të muajit prill dhe se qeveria është e përgatitur mirë t’u bëjë ballë kërkesave të Fondit për zvogëlim të investimeve kapitale dhe shpenzimeve tjera buxhetore.
“Nuk besoj se brenda një misioni mundemi me përfundu krejt këtë. Por, gjatë pranverës, ka fundi i prillit, do të përfundojmë negociatat me fondin”, ka thënë kreu i MEF-it.
Këto bisedime është pritur të kryheshin në dhjetor të këtij viti, por Shala nuk është pishman se ka ndodhur kjo shtyrje, pasi që, sipas tij, edhe sikur të ishte kryer puna këtë vit, paratë nuk do të mund të hynin në buxhetin e 2009-ës.
Këto mjete të pritura do të investohen drejt në buxhet të viti 2010, 2011 dhe 2012.