E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fishekzjarrët, ndalohen për fëmijë

Në prag të festimit të festës së Vitit të Ri, zyrtarët policorë kanë tërhequr vërejtjen e qytetarëve për përdorim të fishekzjarrëve.

Duke u bazuar në udhëzimin administrativ 26/2008, zyrtarët e PK-së pohojnë se përdorimi i fishekzjarrëve lejohet të bëhet nga personat mbi 18 vjeç dhe atë brenda ditëve prej 26 dhjetor deri më 2 janar.

Po ashtu, në bazë të këtij udhëzimi administrativ për përdorimin e mjeteve piroteknike, thuhet se shitja e mjeteve piroteknike apo tregtimi i tyre bëhet nga personat dhe kompanitë e licencuara nga data 19 dhjetor deri më 1 janar. Lidhur me këtë, zyrtarë të MPB-së pohojnë se në vendin tonë janë vetëm katër biznese të licencuara për shitjen e mjeteve piroteknike.

Në një konferencë për media, drejtori i Departamentit për Siguri Publike, Driton Gashi, tha se synim themelor i policisë dhe MPB-së është ulja e numrit të incidenteve krahasuar me vitet paraprake, e që janë shkaktuar nga mjetet piroteknike.

Nga statistikat e policisë në vitin 2007 thuhet se ka pasur 204 të lënduar nga përdorimi i fishekzjarrëve dhe në vitin 2008 ky numër është ulur në 55.

“Qëllimi i përgjithshëm i aktiviteteve që do të zhvillohen këto ditë në vijim është, së pari, vetëdijesimi i njerëzve. E dyta, është që të koncentrohen më shumë në parandalimin e incidenteve dhe e treta është që t’i ushtrojmë një kontroll më të rreptë, veçanërisht nëpër sheshet e Kosovës”, tha Gashi.

Ndërsa ndihmësdrejtori operativ në PK, Shaban Shala, tha se tashmë policia ka shpërndarë planet e saj operative nëpër të gjitha rajonet e Kosovës.
“Kemi lëshuar urdhrin operativ, i cili pikërisht ka të bëjë me festat e fundvitit që policia duhet të jetë shumë e suksesshme”, tha Shala.

I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe kryeinspektori për parandalimin e zjarrit Shefki Ismajli, i cili tha se edhe ky departament ka bërë përgatitjet e duhura që festat e fundvitit të kalojnë të qeta.

Një vit më parë, gjatë natës së ndërrimit të viteve, nga aksidentet automobilistike kanë vdekur 5 persona, ndërsa numri i të lënduarve nga mjete piroteknike ka qenë rreth 55.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›