Donald Rumsfeld boton libër për jetën e tij

Ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes Donald Ramsfeld ka botuar së fundmi një libër me kujtime nga jeta e tij, duke përmendur në të edhe detaje të karrierës. Ai pranon se një nga pikat më të ulëta të karrierës së tij ishte viti 2004 kur u shfaqën fotografitë që tregonin ushtarë amerikanë duke keqtrajtuar të burgosurit në Abu Graib të Irakut. Kritikat e ashpra ndërkombëtare për abuzimin dhe interesi i publikut për hapat që do të merrte Sekretari i Mbrojtjes për akuzat, sollën si rezultat të parin mes disa rasteve kur Ramsfeld i paraqiti dorëheqjen Presidentit të asokohe, Bush.
Ish-kreu i Departamentit të Mbrojtjes thotë se Presidenti Xhorxh Bush gaboi kur nuk ia pranoi dorëheqjen pas rastit të Abu Graibit, një skandal që tërhoqi vemendjen e mbarë botës. Titulli i librit “Të ditura dhe të paditura” është marrë nga një konferencë shtypi në Pentagon në shkurt 2002, kur Ramsfeld iu përgjigj pyetjes së një gazetari mbi lidhjet mes organizatave terroriste dhe Sadam Huseinit. Një vit pas këtyre komenteve, Shtetet e Bashkuara filluan ndërhyrjen në Irak, mbështetur pjesërisht në informacione zbulimi të pasakta, sipas së cilave Sadam Huseini posedonte armë kimike.
Ramsfeld thotë se është i bindur që informacionet ishin të sakta, bazuar tek personat me të cilët ai kishte folur. Ndërsa pranon se pati një zhgënjim të madh që nuk u gjetën armë të shkatërrimit në masë. Ato informacione bindëse zbulimi janë diskredituar vitet e fundit. Koalicini i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak e arriti objektivin e rrëzimit të Sadam Huseinit nga pushteti. Ai u gjykua në një gjykatë irakiane dhe u ekzekutua në dhjetor 2006. Por lufta kundër terrorizmit në Afganistan vazhdon, pothuajse 10 vjet që kur filloi në kohën kur Ramsfeld ishte Sekretar Mbrojtjeje në tetor 2001. Osama bin Laden deri tani nuk është kapur nga forcat amerikane. Zoti Ramsfeld thotë se megjithëse ai nuk është kapur, pushteti dhe ndikimi i tij janë dobësuar.
Ramfeld u largua nga detyra në vitin 2006, pasi republikanët humbën shumicën në të dyja dhomat e Kongresit në zgjedhjet e atij viti. Humbja iu atribua pjesërisht zemërimit me mungesën e përparimit në Irak dhe rritjes së numrit të viktimave.