E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermani, Merkel refuzon mbylljen e centraleve bërthamore

Pavarësisht aksidenteteve të ndodhura së fundmi në reaktorët bërthamorë në Japoni, kancelarja gjermane Angela Merkel ka hedhur poshtë kërkesën e opozitës për mbylljen e menjëhershme të centraleve të vjetra bërthamore në Gjermani. Reaktorët bërthamorë gjermanë janë të sigurtë, tha ajo. "Ne të gjithë do të bënim mirë sikur të shikonim njëherë se çfarë po ndodh atje? Cilat janë mësimet nga këto ngjarje? Dhe pastaj të këshillohemi me qetësi. Unë sot nuk mund të them që centralet tona bërthamore nuk janë të sigurta. Në të kundërt, do të më duhej që me betimin tim zyrtar t`i mbyllja ato menjëherë. Do të ishte shumë fatale nëse unë vetëm do të thoja thjesht se ato nuk janë më të sigurta. Nga ajo që dimë ne, centralet tona bërthamore janë të sigurta", tha Merkel. Megjithatë pas një takimi krize në Berlin, kryetarja e Partisë Demokristiane ose CDU, paralajmëroi verifikimin edhe njëherë të standardeve të sigurisë të të gjitha centraleve bërthamore gjermane. Për qeverinë gjermane vlen parimi se energjia bërthamore është teknologji e justifikueshme për një periudhë kalimtare. Por tani nuk është momenti për fillimin e një lufte politike lidhur me shfrytëzimin e energjisë bërthamore. Të martën kancelarja Merkel do të këshillohet me kryeministrat e landeve për gjendjen e sigurisë në reaktorët bërthamorë. Pak ditë më parë, çështja e centraleve bërthamore në Gjermani, provokoi edhe protesta anti-nuklerare, dhe qindra mijëra njerez u mblodhën në afërsi të zonave ku ndodhen centralet për të kërkuar mbylljen e tyre.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›