Brazil, 11 të vdekur nga moti i keq
Të paktën 11 persona kanë vdekur dhe mijëra të tjerë kanë mbetur të pastrehë në jug të Brazilit, në shtetin e Parana-së për shkak të motit të keq. Qytetet Morretes dhe Guaratuba, kanë mbetur tërësisht të izoluara pasi ka probleme të mëdha me rrëshqitjen e tokës, me shembjet e urave apo përmbytjet, dhe kësisoj është shkëputur edhe komunikimi me këto zona.
Ndërkaq porti i rëndësishëm i Paranagua-s është i depertueshëm vetëm nëpërmjet rrugëve detare. Prej 4 ditësh vijojnë reshjet e shiut, dhe situata në rajon përkeqësohet nga ora në orë. Edhe lumenjtë po ariijnë në limitet e nivelit të ujit. Në fillim të muajit mars, u raportua për 355 viktima për shkak të motit të keq në brazil, kryesisht në rajonin malor në afërsi të Rio de Janeiros.
Përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e shumta u kanë marrë jetën qindra njerëzve në disa zona në të cilat vërshimi i ujit ka provokuar edhe rrëshqitje të tokës. Një situatë e vështirë paraqitet në juglindje të Brazilit. Numri më i madh i viktimave në fillim të muajit mars, u raportua në qytetin Teresopolis ku maje u shpall edhe gjendja e jashtëzakonshme.
Gjatë këtij viti, Brazili është prekur disa herë nga përmbytjet, dukë bërë që mijëra njerëz të mbeten të pastrehë. Ndërkohë që shumë persona të tjerë janë deklaruar të zhdukur, bilanci i viktimave mund të rritet tragjikisht në orët në vijim, ndërsa rritet edhe shqetësimi i sëmundjeve që mund të shkaktohen nga uji i ndotur.
Ekipe te ndihmës po punojnë për tu ardhur ne ndihmë banorëve të prekur nga kushtet e pafavorshme atmosferike. Zonat e prekura nga përmbytjet, janë vizituar edhe nga presidentja e Brazilit Dilma Rousseff.