Shtohen tensionet në Jemen, protesta në disa qytete

Në Jemen sot ka vazhduar rritja e tensioneve, ndërsa raportohet për protesta në disa qytete. Në kryeqytetin Sana janë vendosur ushtarët.
Nga mesi i muajit shkurt, në Jemen ka pasur protesta, në të cilat kërkohet largimi i presidentit Ali Abdullah Saleh, që tani e 32 vjet është në pushtet.
Raportohet se më shumë se 30 persona janë vrarë që nga fillimi i protestave.
Sot në kryeqytetin Sana, ushtarët me makina të blinduara janë përpjekur të bllokojnë një hapësirë afër Universitetit Sana, ku mijëra protestues kanë ngritur kampe për javë të tëra.
Dëshmitarët kanë raportuar për të shtëna të rënda në Taiz, që është 200 kilometra në jug të kryeqytetit Sana dhe një nga qytetet më të mëdha me protesta kundër presidentit Saleh.
Banorët në al-Hatwa kanë thënë se mijëra vetë po protestonin në këtë qytet, në jug të Jemenit.