Donald Rumsfeld nderohet me urdhrin e Flamurit Kombëtar
Presidenti Nishani i akordon Dekoratën e Flamurit Kombëtar ish-Sekretarit amerikan të Mbrojtjes
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi ish-Sekretarit të Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Rumsfeld Dekoratën e lartë të Flamurit Kombëtar, me motivacionin: “Në shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi, për kontributin e jashtëzakonshëm, si dhe për mbështetjen e fuqishme që Ai dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë për reformimin, fuqizimin dhe modernizimin e Ushtrisë Shqiptare dhe procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO”. Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Kreu i Shtetit u shpreh se mbështetja e madhe që zoti Rumsfeld i dha Shqipërisë për t’u anëtarësuar në NATO, është tashmë pjesë e mirënjohjes dhe e kujtesës historike të shqiptarëve. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë pranë Shqipërisë dhe shqiptarëve që nga çastet e para të krijimit të shtetit shqiptar deri në vijimin përpjekjeve të shqiptarëve për ndryshimet demokratike për konsolidimin e demokracisë, përpjekjeve të saj për reforma, anëtarësimit në NATO, çlirimit dhe Pavarësisë së Kosovës dhe në vijim të rrugë e konsolidimit të saj e të Shqipërisë”, nënvizoi Presidenti Nishani. Duke përcjellë përgëzimet e gjithë kombit amerikan për atë që Shqipëria ka bërë dhe arritur në këto vite, ish-Sekretari i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld i shprehu Presidentit Nishani falenderimet për këtë nderim të madh dhe shtoi se nuk do t’i rezistonte tundimit për ta vënë këtë medalje, gjatë gjithë ditës dhe për ta patur gjithmonë në mendjen dhe zemrën e tij. Ish-sekretari Rumsfeld nënvizoi gjithashtu se vlerat që Shqipëria i ka sjellë NATO-s janë të jashtëzakonshme, sepse kanë ndihmuar të gjithë anëtarët e saj, vlera që Shtetet e Bashkuara i njohin dhe i vlerësojnë.