E Diel, 1 Nëntor 2026

Rumsfeld, Berishës: Ju përgëzoj për taksën e sheshtë, shpresoj që SHBA të marrë shembull

18-06-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha takon ish-Sekretarin e Mbrojtjes së SHBA-ve, Donald Rumsfeld

Ish-shefi i Pentagonit: “Impresionuese pjesëmarrja masive e qytetarëve shqiptarë në mitingjet elektorale të kryeministrit Berisha”

Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim ish sekretarin e mbrojtjes së SHBA-ve, Donald Rumsfeld. Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin t’i shprehë edhe njëherë mikut amerikan mirënjohjen e tij më të thellë dhe të qeverisë shqiptare për të gjithë mbështetjen që ai personalisht, qeveria e SHBA-ve, populli i madh, mik amerikan i kanë dhënë Shqipërisë në vijimësi, gjatë gjithë këtyre viteve, në veçanti për mbështetjen e jashtëzakonshme për anëtarësimin në NATO. Nga ana e tij, zoti Rumsfeld e falënderoi kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe shprehu kënaqësinë e veçantë që rikthehej në Shqipëri, pas një periudhe të shkurtër dhe që konstaton ndryshime të jashtëzakonshme, të cilat kanë ndodhur gjatë kësaj kohe. Në këtë kontekst, ish Sekretari Rumsfeld i shprehu kryeministrit Berisha urimet më të ngrohta për arritjet e jashtëzakonshme e te gjithanshme që qeveria shqiptare ka shënuar në këto vite, duke i uruar gjithashtu suksese të mëtejshme në të ardhmen. Taksa e sheshte 10% ishte një ndër arritjet më të rëndësishme që sekretari Rumsfeld ka vlerësuar duke u shprehur se “uronte që edhe SHBA të merrnin shembull dhe të vendosnin edhe në Amerikë taksën e sheshtë prej 10%”. Ish sekretari amerikan Rumsefeld, në veçanti u shpreh i impresionuar nga pjesëmarrja aktive dhe e gjerë e qytetarëve shqiptarë në fushatën elektorale për zgjedhjet e përgjithshme të këtij viti dhe i shprehu kryeministri Berisha vlerësimet e tij më të larta për modelin e fushatës, shume aktive, në kontakt me qytetarin dhe të bazuar mbi çështje të cila prekin qytetarët, jetën e tyre te përditshme dhe të ardhmes së tyre. “Jam jashtëzakonisht i impresionuar me dëshirën e qytetareve shqiptare për ta përshëndetur, për ta takuar, për t’i dhënë dorën kryeministrit Berisha, por edhe për pjesëmarrjen masive te tyre ne evenimentet elektorale te PD. “Presidentet amerikane do të ëndërronin të kishin nëpër evenimentet e tyre elektorale pjesëmarrjen që ju keni në takimet tuaja elektorale” - i theksoi zoti Rumsfeld kryeministrit Berisha. Në fund të takimit Zoti Rumsfeld i dhuroi kryeministrit Berisha një kopje të librit të tij të fundit “Të njohurat dhe të panjohurat”, ndërsa kryeministri Berisha shtroi për nder të mikut amerikan dhe të stafit që e shoqëronte një drekë e cila kaloi në një atmosferë të ngrohtë e miqësore.
Ministri Imami: Donald Rumsfeld, një nga strategët e sigurisë dhe paqes/Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami i pranishëm në ceremoninë e dekorimit të ish Sekretarit amerikan të Shtetit, Donald Rumsfeld nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani me “Urdhrin e Flamurit Kombëtar”, vlerësoi figurën e z.Rumsfeld si garant i paqes dhe sigurisë. Në një mesazh në “Facebook”, Imami shprehet se ardhja e Donald Rumsfeld në Shqipëri është një tregues i fuqishëm i partneritetit dhe miqësisë së fortë mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në përballimin e sfidave globale. “Z.Rumsfeld shprehu vlerësimin e tij për partneritetin me Shqipërinë sepse me kalimin e viteve kemi zhvilluar një sensibilitet për vendin, dhe ardhja e tij ne Shqipëri është një kënaqësi shumë e madhe për marrëdhëniet mes dy vendeve, pasi arritjet e bëra ne 20 vitet e fundit ne Shqipëri, kanë qenë të jashtëzakonshme dhe e gjitha për të kaluar një tranzicion vërtetë shume të vështirë. Rumsfeld shprehu mbështetjen e tij të plotë për Shqipërinë sepse sikurse u shpreh dhe ai vetë, i beson fort shqiptarëve, e di se çfarë i sjellin shqiptarët NATO-s, energji pozitive, qasjen e re të lidershipit ushtarak e civil si një rol shumë të rëndësishëm në aleancë” - vlerëson z.Imami.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›