E Shtunë, 31 Tetor 2026

Donaldo Demaj, një Safet Berisha i ri te Partizani

Ka të njëjtën grinte në lojë, të njëjtat karakteristika fizike. Të gjithë e konsiderojnë një “Marko Matereci” shqiptar, ndërsa ai vetë ka idhull në Shqipëri, legjendën e mbrojtjes së Partizanit, Safet Berishën. Futbollisti 18-vjeçar i Partizanit U-19 (profesionistët), qendërmbrojtësi Donaldo Demaj (190 cm) është një nga ata që mund të konsiderohet “mbreti i ajrit” në zonën e rreptësisë së skuadrës së tij dhe një tmerr i vërtetë për kundërshtarët në goditjet standarde, sidomos në ato nga këndi.

“Është shumë i fortë në lojën në ajër, kjo dhe për shkak të lartësisë trupore”, - tha për “Albania-sport”-n, trajneri i Partizanit U-19, ish-futbollisti i njohur Marko Pelinxhi, i plejadës së Ilir Shulkut, Adnand Ocellit, Ylli Shehut e Eduard Zhupës. “Është duke u rritur vazhdimisht si lojtar dhe tashmë e njeh shumë më mirë zonën, jo vetëm në rreshtimin taktik, ku rrallë kapet i papërgatitur, por dhe mbulimin një për një të kundërshtarit, ku thuajse i ka fituar të gjitha duelet. Po të punohet me të, fitohet si lojtar”, -shton ish-kampioni i Partizanit të sezonit 1992-1993, që përkon edhe me titullin e fundit të kuqve (i 15-ti).

Partizani ndër vite është dalluar për lojtarët me karakteristika të dukshme fizike, boll të kujtojmë legjendën e madhe Safet Berisha, 3-herë kampion me të kuqtë, 1 herë nën drejtimin e mitikut Loro Boriçi (1970-1971) dhe dy herë me “hekurtin” Bejkush Birçe (1978-1979, 1980-1981).

“Kam filluar të stërvitem rregullisht qysh në moshën 11-vjeçare, - thotë Demaj për “Albania-sport”-n, - dhe kam qenë gjithmonë serioz i ndërgjegjshëm se më duhet shumë punë për të arritur diçka si futbollist. Besoj se jam në rrugë të mbarë. Kam nisur me ekipin ‘Dea 2000’ për të vazhduar më pas me Partizanin U-17”, -thotë talenti i ri, i cili shënoi edhe golin e fitores kundër Shkumbinit U-19, atë 2-1. “Të shtunën e kaluar mundëm Flamurtarin U-19 (1-0), që deri para përballjes me ne nuk kishte humbur asnjë takim. Kemi mundur edhe ekipet e tjera të kryeqytetit, Dinamon (2-1) dhe Tiranën (2-1)”, shton Donaldo.

Qendërmbrojtësi i ri, i cili ka qenë pjesë e disa grumbullimeve me kombëtaret e moshave, është një adhurues i Safet Berishës, lojtarët që është personifikuar me “Hotel Tiranën, por dhe Marko Materacit të Interit. “Kam dëgjuar shumë për Berishën, dhe me ato që kam lexuar për të, shërben si një shembull i madh për mua. Jam i bindur se duhet shumë sakrifica të behësh si ai. Nga lojtarët e huaj më pëlqen Marko Materaci i Interit. Është agresiv në lojë, por ka dhe personalitet të padiskutueshëm”, - përfundon qendërmbrojtësi i Partizanit U-19, Donaldo Demaj.

Donaldo Demaj
Datëlindja: 29.09.1990 (18 vjeç)
Lartësia: 190 cm
Pesha: 75 kg
Roli: Qendërmbrojtës
Ekipi aktual: Partizani U-19

E Enjte, 18 Dhjetor 2008  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›