E Diel, 1 Nëntor 2026

Dondollaku: Vazhdoni gjyqin ndaj meje

I akuzuari si numri dy i bandës së Lushnjes ka pohuar nga Italia se nuk është shumë i interesuar për procesin

TIRANË- Krahu i djathtë i Aldo Bares, shtetasi Enver Dondollaku, i dënuar në Itali me 16 vjet burg i ka kërkuar gjykatës që të vazhdojë procesin ndaj tij. Me anë të një letre Dondollaku cakton si mbrojtës të ligjor avokati Vladimir Meçe, të cilit ia jep të gjitha të drejtat që ia njeh ligji për vazhdimin e procesit gjyqësor në Shqipëri. “Në letrën që më keni nisur, kërkoni që unë të marr dijeni për gjyqin dhe të shprehet për të avokatin që do më mbrojë dhe të drejtat që ia atribuoj, unë ju them që avokat kam pas dhe do e kem Vladimir Meçen dhe i jap të gjitha të drejtat që mi jep ligji në këtë proces gjyqësor”,-mësohet se është shprehur ndër të tjera Dondollaku. Duke shtuar se “nuk dua të vij në Shqipëri as për të ndjekur gjyqin tim por as për të vuajtur dënimin atje”. Sipas gjykatës, shkresa dërguar Dondollakut në vendin e vuajtjes së dënimit në Itali, është detyrim procedural për ta njoftuar të pandehurin se në Shqipëri po zhvillohet një proces gjyqësor ndaj tij dhe duhet të saktësojë ai vetë apo të japë pëlqimin për mbrojtësin ligjor që do ta përfaqësojë në gjyq. Gjithashtu, po e njëjta shkresë zyrtare i është dërguar me anë të letër-porosisë edhe të pandehurit Aldo Bare i cili ndodhet në Turqi në pritje të gjyqit pro ose kundër ekstradimit të tij në Shqipëri. Me marrjen dijeni për gjyqin që zhvillohet në Shqipëri, Gjykatës i hapet drita jeshile për të vazhduar procesin gjyqësor ndaj të pandehurve Aldo Bare dhe Enver Dondollaku të cilët akuzohen për një sërë veprash të rënda penale, që nga krijimi i organizatës kriminale, kryerjes së veprave të ndryshme penale në kuadër të kësaj organizate si vrasje dhe krime të tjera deri tek vepra më e vogël, ajo e mbajtjes pa leje të armëve luftarake. Sipas kërkesës për gjykim, procesi gjyqësor ndaj dy të pandehurve të kësaj bande prej disa muajsh është bllokuar pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda duke mos u shqyrtuar për shkak të mos marrjes së këtij konfirmimi që ka ardhur ditët e fundit vetëm nga Italia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›