Bamir Topi: Sfida, forcimi i pavarësisë së gjyqësorit
TIRANË – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka riktheksuar dje besimin që ka tek Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe tek pavarësia e sistemit të drejtësisë. Gjatë një takimi për KLD-në, presidenti ka pohuar se reformat në sistemin gjyqësor por edhe në atë të drejtësisë në tërësi, i ka vlerësuar si në funksion të forcimit të veprimtarisë së pushtetit gjyqësor për ndërtimin dhe konsolidimin e një sistemi shoqëror të drejtë. Sipas tij, ai duhet të jetë një sistem ku cilido gjen mbrojtje ligjore të të drejtave nga gjyqtarë të pavarur, të paanshëm dhe me nivel të lartë profesional, të cilët bëjnë pjesë gjithashtu në një sistem gjyqësor të pavarur, të besueshëm dhe eficient.
“Çdo vend dhe çdo sistem paraqet panorama të ndryshme të pavarësisë, paanshmërisë dhe profesionalizmit të pushtetit gjyqësor si dhe përpjekjeve për ta konsoliduar çdo ditë e më shumë këtë pushtet. Por, gjykoj se forcimi i një pushteti gjyqësor të pavarur është një sfidë e përbashkët e tre pushteteve, e faktorëve dhe aktorëve politikë dhe profesionalë, është një sfidë e të gjithëve, sfidë e përbashkët”,- tha dje presidenti Topi. Ai ka vënë më shumë theksin në bashkëpunimin e tre pushteteve duke nënkuptuar marrëdhënie më të mira mes KLD-së dhe Ministrisë së Drejtësisë. Kreu i KLD-së ka falenderuar Bashkimin Evropian për projektin e binjakëzimit për ndihmën dhe kontributin që po jep në këtë rrugë të vështirë dhe që ka qenë gjithmonë mes kritikave të shumta nga institucionet ndërkombëtare. Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Komisionit Evropian në Shqipëri, Helmut Lohan, ka theksuar se reforma në drejtësi duhet të bëhet nën një ekspertizë ndërkombëtare. Ai kërkoi gjithashtu që Ministria e Drejtësisë dhe KLD të përmirësojnë marrëdhëniet mes tyre. Kjo ishte një thirrje e sinqertë nga Ambasadori Lohan i cili e uroi Shqipërinë për vitin 2009, që të jetë një vit sa më i mbarë. Gjatë takimit të djeshëm ishin të pranishëm edhe Ministri Drejtësisë, Alibeaj, dhe përfaqësues të institucioneve homologe nga Italia dhe Spanja.
Ministri i Drejtësisë ka dalë kundër ndërkombëtarëve duke insistuar në ligjin për sistemin gjyqësor
Alibeaj: Drejtësisë i duhet ligji i qeverisë
Ministri Drejtësisë, Alibeaj, gjatë takimit të djeshëm nuk ka bërë ndonjë koment në lidhje me konfliktet midis Ministrisë së tij dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë. I gjendur përballë stafit të gjerë të prokurorëve dhe një projekti të përfunduar, të cilësuar edhe nga përfaqësusesit e Komisionit Europian si të suksesshëm, Alibeaj e kunërshtoi këtë duke thënë se ky sistem ka nevojë për Ligjin që po harton qeveria e tij. Alibeaj në këtë mënyrë ka shfaqur mënyrën e tij të të rezervuarit duke treguar se konfliktet midis dy institucioneve do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Duke mos shfaqur asnjë shenjë pajtimi për hartimin e një Ligji sa më gjithëpërfshirës. “Ndarja e pushtetit nuk është finalizuar ende” është shprehur Alibeaj. Sipas tij, vendi ynë nuk ka ende një balancë të ndarjes së pushteteve. “Nuk janë përcaktuar në këtë sistem ende vijat ndarëse” ka thënë Alibeaj. Kreu i Ministrisë së Drejtësisë e ka përqendruar diskutimin e tij në dy pika kryesore. E para, lidhej me garantimin e një sistemi gjyqësor të pavarur, ndërsa pika e dytë, me përcaktimin e saktë të përgjegjshmërisë së çdo organi në veçanti. Këto pika, sipas Alibeaj, janë të domosdoshme për një sistem drejtësie të pavarur. Ministria e Drejtësisë ka treguar në këtë mënyrë shfaqjen e mos tolerancës që karakterizon qeverinë e djathtë, kur flitet për probleme pushteti.