E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e 17- vjeçares, merret në pyetje mjeku

  Prokuroria është pranë mbylljes së hetimeve për mjekun Xhevahir Hoxhallari, të akuzuar për mjekim të gabuar

TIRANË- Prokuroria e Tiranës mori në pyetje paraditen e djeshme për herë të fundit gjatë fazës hetimore mjekun Xhevahir Hoxhallari, i cili akuzohet për veprën penale të “mjekimit të pakujdesshëm” që solli vdekjen e 17-vjeçares nga Korça, Matilda Petriti. Adoleshentja ndërroi jetë pasditen e 29 prillit të këtij viti, vetëm pak ditë pas operimit të bajameve. Sipas burimeve zyrtare të organit të akuzës, prokurori Aleksandër Plepi me ndihmën e hetuesit të tij, gjatë paradites së djeshme për dy orë rresht ka marrë në pyetje në cilësinë e të pandehurit doktorin Hoxhallari, i cili pretendoi edhe gjatë ditës së djeshme pafajësinë e tij. Mësohet se mjeku Hoxhallari gjatë përgjigjeve të tija, ka pretenduar se nuk është përgjegjës për vdekjen e vajzës, pasi vdekja e saj ka ardhur rreth një muaj pas ndërhyrjes kirurgjikale dhe kanë qenë efektet anësore që i kanë shkaktuar asaj gjakderdhje. Ndërkohë, prokuroria në bazë të akt-ekspertimit të kryer nga Instituti i Mjekësisë Ligjore konstaton se vdekja e 17-vjeçare nga Korça, Matilda Petriti, ka ardhur si pasojë e ndërhyrjes së gabuar gjatë operimit të bajameve dhe moskujdesit të vazhdueshëm pas kryerjes së kësaj ndërhyrjeje mjekësore. Sipas raportit të akt-ekspertimit, mjeku Hoxhallari ka gabuar vetëm disa milimetra në ndërhyrjen kirurgjikale, për heqjen e bajameve, duke i prekur arterien kryesore të qafës, që ka sjellë disa herë pas operacionit hemorragji të madhe, çka solli edhe vdekjen e vajzës. Gjithashtu, gjatë ditës së djeshme, prokurori Plepi vendosi me aprovimin e të pandehurit Hoxhallari shtyrjen e afateve hetimore edhe për një muaj, për të kryer disa veprime të fundit por të nevojshme procedurale për dosjen hetimore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›