Doni notë të mirë? Shkoni mësoni me para në shtëpitë e mësuesve
Gazeta IDEA i fton të gjithë qytetarët, nxënës e prindër, ta denoncojnë këtë fenomen. Të denoncojnë mësuesit dhe shkollat e tyre, për ti dhënë fund matrapzallëkut me dijen.
Tiranë – Të shkosh në shkollë nuk do të thotë më vetëm të mësosh dhe të vlerësohesh për produktin përfundimtar. Tashmë moda ka ndryshuar. Të marrësh një notë të mirë do të thotë të bësh kurs me mësuesen në shtëpinë e saj. Ky është një fenomen mjaft i përhapur kohët e fundit dhe mjaft shqetësues për nxënësit dhe familjet e tyre. Kjo pasi nxënësit i tremben idesë se do të marin nota të ulëta ose dhe mund të ngelin në rastin më të keq, por edhe familjet duhet të paguajnë një tarifë fikse e cila varion sipas mësuesve përkatës. Një fenomen ky që nuk prek vetëm shkollat fillore apo të mesme por edhe universitetet. Një `biznes` mjaft fitimprurës, madje një rrogë më e majme sesa ajo që marin në institutin përkatës.
Një nxënës i gjimnazit Ismail Qemali tregon se si janë raportet mes nxënësve që shkojnë në kurs më mësuesen e tyre dhe atyre që nuk shkojnë.
Duhet të shkojmë në shkollë sepse ajo është shumë e rëndësishme, por ne shkojmë aty për të mësuar dhe jo për t`u bërë konkurencë se kush nga zyshat fiton më pak apo më shumë. Ka raste që vetë mësuesja na thotë që nëse nuk ndjeheni të aftë që të mësoni vetë, atëherë mund të vini dhe të bëjmë konsultime në orare të veçanta në shtëpinë e mësueses, por kjo kundrejt një pagese. Gjithashtu një nxënës që është në kurs me mësuesen shikohet më mirë nga ajo, i vihen nota më të mira por ka edhe raste kur u japin pyetjet e provimit. Por kjo nuk është e drejtë për ne të tjerët pasi ka edhe nxëses të tjerë të cilët janë shumë të aftë madje dinë më shumë se ato që shkojnë në kurs me zyshat por ajo asnjeherë nuk u vë notën 10. Ky është një problem për ne, pasi duke vlerësuar më shumë ato nxënës që paguajnë, ne të tjerët rrimë dhe zgjidhim ushtrimet më të vështira, sepse është e vërtëtë që në kurse shkojnë vetëm për të marrë një notë të mirë që të kenë një mesatare të lartë.
Por çfarë mendojnë prindërit në lidhje me këtë fenomen, i cili sa vjen dhe bëhet më shqetësues.
Ja çfarë thotë prindi i këtij nxënësi.
Ne i çojmë fëmijët në shkollë për të mësuar dhe jo për t`u bërë pazare me to. Unë vërtetë që jam e shqetësuar për tim bir pasi ka raste kur ai nuk do të ikë në shkollë pasi ka frikë se mos mësuesja e ngren në mësim dhe i vë nota të ulëta sepse nuk është në kurs me të. U detyrova që ta çoja në kurs nga halli se mos i vë nota të dobëta apo dhe të ma ngeli në klasë. Tani që është në kurs me të, ajo i vë nota të mira madje edhe 10, apo i tregon se çfarë do të kenë në provim. Por kjo është vërtetë shumë e vështirë pasi dhe nga gjendja ekonomike nuk është se jemi mirë dhe të paguash 1000 te reja ne ore është shumë.
Një problematikë e cila në fakt nuk duhet të ekzistonte, pasi me ligj është e ndaluar që mësuesi titullar I lëndës që jep mësim në shkollë të bëjë edhe konsulta me para jashtë shkolle. Por edhe pse është e ndaluar kjo epidemi pothuajse sa vjen dhe rritet dhe po mer përmasat e një problem shqetësues për shoqërinë.
Gazeta IDEA i fton të gjithë qytetarët, nxënës e prindër, ta denoncojnë këtë fenomen. Të denoncojnë mësuesit dhe shkollat e tyre, për ti dhënë fund matrapzallëkut me dijen. Shkruani ne www.gazetaidea.com
Joana Allushi/IDEA/
Shkrime të tjera me interes: