SHBA, Gordon: Ngërçi 2 vjeçar shkaktoi mpirje të reformave – nxitëm opozitën të jetë aktive në parlament
Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Filip Gordon, dëshmi në komisionin e Çështjeve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve mbi Europën dhe Azinë
Në raportimin e tij para nënkomisionit të Jashtëm, të dhomës së Përfaqësuesve, me titull “Gjendja në Ballkan”, zv/sekretari amerikan i shtetit, Filip Gordon u shpreh se Shqipëria ka shënuar progres në reforma, por 2 vitet e fundit, sipasojë e ngërçit politik, ka patur mpirje të progresit. Gordon tha se SHBA-të janë të shqetësuara për mos miratimin e ligjeve të rëndësishme në Kuvend, nga mungesa e konsensusit të opozitës, çka solli edhe shtyrjen e statusit të vendit kandidat në BE. Duke e vlerësuar si hap pozitiv rikthimin e opozitës në Kuvend, zv/sekretari amerikan i shtetit, Filip Gordon tha se SHBA-të inkurajojnë opozitën të marrë përgjegjësitë si dhe të jetë pjesë aktive e parlamentit.
“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara në lidhje me ngërçin e stërzgjatur politik në parlament, i cili nuk ka mundur të miratojë ligjet e reformës të përcaktuara nga BE-ja si të detyrueshme për të marrë statusin e vendit kandidat. Na inkurajon fakti që opozita e ka përfunduar bojkotin e parlamentit pas procesit të zgjatur për vendosjen e rezultatit të zgjedhjeve për kryetar bashkie në Tiranë. E kemi nxitur qeverinë të miratojë rekomandimet e BE-së dhe OSBE-së për reformë, si edhe të bëjë përpjekje realiste dhe të prekshme për të përfshirë opozitën dhe për të pranuar kompromisin si pjesë e procesit politik. Në të njëjtën kohë, kemi nxitur opozitën të jetë e përgjegjshme dhe e gatshme – gjë e cila, në një demokraci të pjekur, kërkon pjesëmarrje të plotë dhe aktive në parlament. Pas dy vitesh mpirjeje, ka ardhur koha që drejtuesit politikë të kapërcejnë grindjet vetjake dhe të bëjnë përparim konkret me programin e reformës ose përndryshe do të rrezikojnë të humbasin hovin e mëtejshëm”- u shpreh Gordon.
Ai vuri në dukje se SHBA-të nxisin qeverinë, përfaqësuesit politik dhe shoqërinë civile, në miratimin e 12 rekomandimeve të Brukselit. “Jemi duke vepruar si partnerë me Bashkimin Europian, qeverinë shqiptare dhe shoqërinë civile për shqyrtimin e 12 reformave me përparësi që nevojiten për pranimin në BE”- tha ai.
Sa i takon rolit të Shqipërisë në NATO, që prej anëtarësimit 3 vjet më parë, zv/sekretari amerikan i shtetit, Filip Gordon vëren se “Shqipëria kontribuon aktivisht në misionet e Aleancës”. “Shqipëria miratoi shpejt reformat e nevojshme për të fituar pranimin në NATO në vitin 2009. Që atëherë vazhdon të shënojë mbi peshën e saj në Afganistan, duke kontribuar me më shumë se 300 trupa në ISAF”- konkludoi raportimin e tij në dhomën e Përfaqësuesve të SHBA, mbi gjendjen në Ballkanin Perëndimor, ndihmës sekretari, Filip Gordon.