Wollfarth, Sequi: Shenjë progresi drejt integrimit – të punohet në partneritet

Trojka e ambasadorëve përshëndet fillimin e punës për Reformën Zgjedhore
Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Eugen Wollfarth përshëndet vendimin për ngritjen e komisionit për reformën zgjedhore. Në një deklaratë për shtyp, Wollfarth theksoi se mirëpret vendimin zyrtar të Kuvendit për ngritjen e një komisioni të posaçëm për reformën zgjedhore. “Shqipëria ka zgjedhur të ndërmarrë një rrugë konstruktive përpara. E mirëpres vendimin zyrtar të Kuvendit për ngritjen e një komisioni të posaçëm për reformën zgjedhore dhe përgëzoj të gjitha palët politike për angazhimin e tyre në dialogun e nevojshëm ndërpartiak për arritjen e këtij vendimi. Ky është një fillim inkurajues. Tani është e rëndësishme që të gjitha palët politike të vazhdojnë të punojnë në partneritet të vërtetë për të shënuar një progres real dhe thelbësor në çuarjen përpara të reformës zgjedhore dhe axhendës më të gjerë të reformave” – u shpreh Wollfath
Ai i ka apeluar anëtarëve të komisionit që të garantojnë që procesi i debateve dhe vendimmarrjes të jetë i hapur, gjithëpërfshirës, konstruktiv dhe transparent.
“Partitë politike tani duhet të mbështesin miratimin e ndryshimeve të nevojshme legjislative për të pasqyruar rekomandimet e bëra nga Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (OSBE/ODIHR), si dhe standarde të tjera ndërkombëtare përkatëse për zgjedhje demokratike”- tha ambasadori Wollfarth.
Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, gjithashtu ka inkurajuar drejtuesit e partive kryesore politike të garantojnë që ky proces, tashmë në rrugë e sipër, të prodhojë një reformë të plotë dhe jetëgjatë deri në pranverën e vitit 2012, bazuar në një konsensus të gjerë.
“Prezenca e OSBE-së mbetet e gatshme të kontribuojë më tej në procesin e reformës zgjedhore dhe në pjesë të tjera të axhendës së reformave, në përputhje me mandatin e saj”- konkludoi ambasadori Eugen Wollfarth.
Shefi i delegacionit të BE, Ettore Sequi
Ambasadori i BE-së në Tiranë Ettore Sequi përshëndeti konsensusin mes partive politike për ngritjen e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore.
Në një prononcim për mediat pas daljes nga Kuvendi ku ndoqi seancën plenare, ambasadori Sequi theksoi se sot ishte një ditë positive për Parlamentin shqiptar.
“Mendoj se ka nisur një proces pozitiv që do të çojë në reformat ë rëndësishme si ajo e reformës zgjedhore dhe asaj parlamentare si dhe disa kode që kërkojnë shumicë të cilësuar”- u shpreh Sequi.
Ambasadori Sequi theksoi gjithashtu se miratimi i kodeve të cilat kërkojnë shumicë të cilësuar në parlament është një shenjë për progres drejt integrimit të vendit në Bashkimin Europian.
“Rruga drejt Bashkimit Europian është e gjatë por ne ju mbështesim. Rruga drejt integrimit bazohet në dialog. Ka prioritete që Shqipëria duhet të plotësojë”- vuri në dukje Sequi.