Doni pranon kurdisjen e ndeshjeve

Doni ishte në mesin e 16 personave të arrestuar në qytete të ndryshme rreth Italisë, të hënën, si pjesë e aksionit për kurdisje të ndeshjeve dhe basteve ilegale. Pas pesë ditëve të izolimit, Donit iu lejua të takohej me avokatin e tij, e më pas u mor në pyetje nga prokurorët.
“Po, e dija kurdisjen e ndeshjes Atalanta-Piacenza. Kam dhënë aprovimin tim dhe vura bast”, u citua Doni nga e përditshmja Gazzetta dello Sport, të shtunën. “Jam munduar të bëj të njëjtën gjë edhe për takimin me Ascolin. Por, të gjitha ishin iniciativa personale. Nuk jam anëtar i asnjë organizate, klubi nuk dinte asgjë”, shtoi ai.
Atalanta mposhti Piacenzan 3-0, kurse Ascoli-Atalanta përfundoi 1-1.
“Kam pranuar kurdisjet, sepse Atalanta përfitonte. Kurrë nuk do të kisha dëgjuar dikë që do të më ofronte para që ekipi im të humbiste. Kam bërë një gabim dhe tani nuk mund të shikoj veten në pasqyrë, sepse më bën të mendoj për gjithë dhimbjen që ia kam shkaktuar familjes dhe tifozëve. Rënia në Serie A më dhembte dhe për këtë arsye pranova ato oferta. Duke fituar ne e kishim të sigurt promovimin”, përfundoi Doni.