Hysi: Respekt për Kukësin, vazhdojmë serinë e fitoreve
Trajneri i gjirokastritëve, Mustafa Hysi, thekson se ekipi i këtij sezoni është i shëndetshëm
Të enjten Gjirokastra u gdhi me fustan të bardhë. Borë si rrallëherë mban të pushtuar stadiumin dhe rreh e rrotull tij janë rrëzuar edhe disa pisha. Për këtë, që atë ditë, sekretari sportiv i Luftëtarit, Besim Brahimi, njoftoi sektorin përkatës në FSHF për pamundësinë e zhvillimit të ndeshjes me Kukësin, sepse bora ka zotëruar fushën. Ndoshta do të jenë gjyqtarët ata që do të vendosin për zhvillimin ose jo të saj.
Gjendja Ligji thotë që ndeshjen duhet ta fitojë ai ekip që është më i përgatitur në të gjitha aspektet, por ka edhe përjashtime, sepse jo rrallë ky ligj është mashtruar nga fati. Rezultatet e deritanishme tregojnë se Luftëtrai është i përgatitur psiko-fiziksht dhe tekniko-taktikisht mjaft mirë, prandaj dhe kryeson kampionatin dhe është i gatshëm të përballet edhe me kundërshtarin e radhës, Kukësin, që mban vendin e dytë.
Pra, sot në Gjirokastër mund të luhet kryendeshja e javës së parafundit të fazës së parë, që ka tërhequr vëmendjen jo vetëm në Gjirokastër e Kukës. Luftëtari do të ketë mungesa titullarësh për arsye dëmtimi, por të tilla ka pasur pothuajse në të gjitha ndeshjet dhe nuk i ka ndjerë, sepse ka në dispozicion plot futbollistë që janë aty-aty.
Edhe pse nuk është ndeshja që do të zgjidhë rebusin e kampionatit të 65-të të kategorisë së parë, për Luftëtarin ka vlera, pasi arrin 8 fitore radhazi në Gjirokastër. Pritet që sot në këtë qytet të vërshojnë edhe tifozë nga rrethet fqinje, siç ndodhte në ato vite, kur Luftëtari ishte forcë reale në futbollin kombëtar, madje në superiore, ku synon të kthehet pas 5 mungesash radhazi.
Hysi Trajneri i ekipit gjirokastrit, Mustafa Hysi, për ndeshjen e sotme u shpreh: Dua të them se këtë sezon kemi një Luftëtar me të shëndetshëm dhe kjo është e dukshme. Vetë fakti që, në 12 ndeshjet e deritanishme, thuajse një të tretën e pikëve i kemi marrë në transferta, është domethënës, shoqëruar me 7 fitiore radhazi në Gjirokastër. Mund të jetë diçka unike në historinë e tij.
Pra ky Luftëtar, me fizionomi dhe mendësi bashkëkohore për futbollin tonë, qoftë edhe të inferiores, është i destinuar të vazhdojë rrugën e nisur, sepse futbollistët që e përbëjnë, janë të mbushur me ambicje për të arritur suksesin. Kundërshtari i radhës, Kukësi, jo rastësisht është i dyti, ndaj dhe e respektojmë dhe e vlerësojmë si rivalin më serioz, por, duke qenë se luajmë në fushën tonë, që uroj të jetë në gjendje të mirë nesër (sot), para tifozave tanë të ringjallur, shanset janë më të shumtë për të fituar ne.
Gjithsesi, çdo gjë do të vendoset në fushë, ku me siguri do të kemi një lojë burrërore, por dhe korrekte, si dhe një gjykim të paanshëm, në mënyrë që ekipet të marrin atë që u takon, sipas nivelit të lojës, ndoshta edhe me ndihmën e fatit. Futbollistët tanë janë ndërgjegjësuar plotësisht se nuk duhet ta prishin serinë e fitoreve në fushën tonë.
In memoriam
Ka ndërruar jetë në moshën 83-vjeçare Shefqet Kokalari, njeriu që, duke nisur nga viti 1950 e në vazhdim, ka luajtur një rol të rëndësishëm për zhvillimin e sporteve në Gjirokastër, duke luajtur edhe vetë futboll, basketboll e sporte të tjera. Ai ka qenë edhe drejtues shoqatsh sportive të kohës dhe trajner, ku nga mjeshtëria e tij ka dalë edhe mjeshti i sportit, Thedhor Kalluci, por edhe të tjerë.
