Balla: Gjirokastra, një tempull futbolli
Kukësi luan sot pa dyshim transfertën më të vështirë, përderisa shkon në fushën e Luftëtarit kryesues. Ekipi verior shkon në Gjirokastër me synimin për të vazhduar ecurinë e rezultateve pozitive. Drejtori teknik i Kukësit, Sabri Balla, rikthehet në Gjirokastër pas 26 vitesh, pasi ai ka luajtur në stadiumin e këtij qyteti si futbollist i Partizanit. Ai kujton me nostalgji se ka luajtur përballë emrave të mëdhenj.
Këtë radhë, në rolin e drejtorit teknik të kuksianëve, ai thotë se ekipi i tij do të luajë në një tempull futbolli dhe beson se ndeshja që do të zhvillohet do të jetë vërtet një kartolinë: Kur flas për Gjirokastrën, kujtoj me nostalgji vitet më të lumtura të karrierës sime dhe emra të mëdhenj të futbollit shqiptar.
Në vitin 1985 luaja me Partizanin dhe barazuam 1-1 në Gjirokastër me Luftëtarin e emrave të mëdhenj si Boni, Kalluci, Braho, Ciko, Hysi dhe Lefter Millo. Stadiumi ka qenë plot, siç ndodh sot në ndeshjet europiane, madje tifozët gjirokastritë mbështesnin edhe Partizanin. Na kanë pritur me lule dhe u bë një ndeshje e bukur. Kam shumë respekt për Gjirokastrën, një qytet me traditë dhe kulturë.
Tani jam pjesë e Kukësit dhe besoj se, edhe pse luajmë ndaj një ekipi me emër dhe me kualitete, do të bëjmë një ndeshje të madhe. Uroj të fitojë më i miri dhe të kënaqen tifozët e të dy ekipeve. Jemi dy kryesuesit e kategorisë së parë, me kualitete dhe me mbështetje të madhe financiare. Besoj se nuk do të dalim pa pikë nga Gjirokastra, pasi ekipi është në gjendje shumë të mirë, – u shpreh drejtori teknik i Kukësit, Balla.
