Beshiri: Gramshi ti harrojë pikët në Burrel!
Zëvendëstrajneri i Burrelit, Maringlen Beshiri, thekson se matjanët kanë sot rastin të shtojnë 3 pikë në tabelën e renditjes. Madje, ai nuk u lë asnjë shans miqve nga Gramshi. Numri 2 i stolit matjan shpreh bindjen se rezultatet negative të javëve të fundit nuk do të ndikojnë aspak në ndeshjen me Gramshin, ku Burreli duhet të bëjë detyrën përpara tifozëve të tij. Gjithçka është gati për ndeshjen e sotme.
Mendoj se futbollistët do të bëjnë një lojë të bukur dhe do të marrin në fund fitoren aq shumë të dëshiruar. Eshtë e rëndësishme për ne që ekipi të ketë mbështetjen e tifozërisë, që duhet të na japë kurajë si gjithmonë. Nuk i trembemi aspak Gramshit dhe jam i sigurt se djemtë do të bëjnë më të mirën e mundshme në fushë dhe rezultati final do të jetë në favorin tonë.
Është një mundësi e mirë që ne ta ndryshojmë pozicion sadopak në këtë fazë, në mënyrë që fazën e dytë ta nisim ndryshe për të siguruar qëndrimin në kategorinë e parë. I ftoj tifozët tanë të na mbështesin edhe në këtë takim, pasi ekipi ka vërtet nevojë për ta. Ndodhemi në një moment të vështirë dhe prania e tifozërisë do të tregojë se nuk jemi vetëm në këtë garë të fortë.
Grashmi do të mirëpritet në shtëpinë tonë, por nuk do të marrë asnjë pikë, pasi ato na takojnë ne, tha Beshiri. Në 13 javë kampionat, matjanët kanë siguruar vetëm 11 pikë dhe mbajnë vendin e 14-të. Ndryshe nga një vit më parë, Burreli gjendet në zonën e rrezikshme të rënies në kategorinë e dytë.
