Qeveria gjermane ia propozon Bundestagut datën për Serbinë

Qeveria e Gjermanisë i ka propozuar Bundestagut që ta miratojë përcaktimin e datës për fillimin e negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE, kanë konfirmuar sot në Beograd kryeministri Ivica Daçiq dhe zëvendeskryeministrja për integrime evropiane Suzana Grubjeshiq.
Kryeministri Daçiq ka thënë në Kuvendin e Serbisë se “Ministria e Jashtme e Gjermanisë i ka rekomanduar Bundestagut të jap sinjal pozitiv, respektivisht të miratojë vendimin pozitiv mbi fillimin e negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE”.
Njëkohësisht zëvendeskryeministrja e qeverisë serbe Suzana Grubjeshiq në konferencën për gazetarë me nën-kryeministrin malazias, Igor Lukshiq, ka deklaruar se “ky është lajm i mirë”, por me këtë çështja e përparimit të mëtejmë të Serbisë drejtë BE nuk ka përfunduar, transmeton RTK.
Zonja Grubjeshiq ka paralajmëruar se prej 10 deri më 12 qershor do
të qëndrojë për vizitë në Gjermani ku përpos tjerash, me përfaqësuesit e parlamentit gjerman do të bisedojë mbi integrimet evropiane të Serbisë.
Bundestagu do të debatojë mbi datën për Serbinë më 27 qershor, kurse Këshilli i BE vendimin mbi fillimin e negociatave me Serbinë do të duhej ta marrë më 28 qershor, dhe burimet diplomatike thonë se Serbia bisedimet mund ti nis në janar të vitit 2014. /Indeksonline/