Dora e dukshme e qeverisë!
Elton Leka/Pedagog
-Ekonomia shqiptare e ndodhur në krizë nuk mund të ringrihet vetë, nëpërmjet teorisë së laissez faire të Adam Smithit, të përdorur nga qeveria Berisha. Kjo, pasi faktet dhe shifrat shpesh janë më kokëforta se vetë teoritë apo dhe fjalët demagogjike të përdorura nga politikanë apo ekonomistë të lidhur me politikën, për të justifikuar një lloj politike. Në realitet, edhe pse e propaganduar, politika e tregut të lirë pa ndërhyrjen e shtetit, ishte një politikë, e cila asnjëherë nuk u ndoq nga qeveria Berisha. Kjo, sepse shteti në fakt ndërhynte në treg, jo në mënyrë kejnesiane, por në mënyrë arbitrare, për të favorizuar monopolet dhe për të mbrojtur disa biznese të ashtuquajtura të ‘veta’. Teoria e aplikuar është ajo e korrupsionit dhe informalitetit. Pra, nuk ka të bëjë me tregun e lirë dhe dorën e padukshme, pasi dora në tregun shqiptar ishte mëse e dukshme. Kjo solli dhe një rënie të rritjes ekonomike të ulët të vendit tonë, i cili duke qenë se është një vend në zhvillim, është e papranueshme që ajo të binte në nivelin e 1.7 % në vit, kur për shumë vite ajo ishte në nivelet e 6 %. Një tjetër faktor i rëndësishëm dhe i dëmshëm për konsumin e shqiptarëve ishte vendosja e taksës së sheshtë. Taksa e sheshtë synonte të ndante shoqërinë në dy klasa, të pasur dhe të varfër, duke goditur mbi të gjitha konsumin te shtresat jo të pasura. Është pranuar edhe nga vetë ata që e bënë taksën e sheshtë, që kjo taksë favorizon të pasurit dhe jo të varfrit, gjë që krijon dhe rrit një hendek edhe më të madh midis tyre. Prirjet për konsum në shtresat e ulëta dhe të mesme dihet që janë më të mëdhase te ajo e shtresave më të pasura. Aq më shumë që të pasurit në vend preferojnë që një pjesë të konsiderueshme të konsumit ta shpenzojnë jashtë vendit. Pra, shtresa e të pasurve ka prirje për të kursyer më shumë, gjë që do të ulë konsumin e vendit. Në këtë mënyrë, kjo ka sjellë më pak fitime për bizneset, më pak të ardhura për buxhetin e shtetit, më pak taksa, më shumë papunësi, rritje e deficitit buxhetor, rritje të borxhit publik, rritje ekonomike më të ulët. Pra taksa e sheshtë, korrupsioni, informaliteti dhe dora e dukshme e qeverisë për favorizimin e monopoleve, bëri që kjo rritje të ishte më e ulëta që pas viteve 2000. Pra këtu nuk duhet ngatërruar, siç bëhet qëllimisht, të krahasosh politikat e Berishës me ato të Theçerit. Ekonomia jonë kërkon dorë të fuqishme të shtetit, ashtu siç bëri Presidenti Roosvelt pas krizës së ’29-s dhe siç bënë Presidentët Bush dhe Obama gjatë krizës së fundit botërore. Qeveria e ardhshme Rama, ka për detyrë të fokusohet në investimet publike, në mbrojtjen sociale të shtresave të ndryshme, dhe në taksimin progresiv, politika që janë ndjekur me sukses në SHBA dhe në shumë vende të tjera Europiane gjatë krizës së 2008. Nevojitet një dorë e dukshme e shtetit ,e cila stimulon rritjen ekonomike nëpërmjet investimeve publike, taksave progresive, rritjes së konsumit, rritjes së të ardhurave, rritjes së pagave e kështu me radhë. Kjo nuk është thjesht teori, por është një fakt, i cili ka ndodhur me “New Deal”, me planin “Marshall” dhe me ndërhyrjet publike në SHBA dhe në Europë.