E Diel, 1 Nëntor 2026

Dora e shtrirë e opozitës

Z.. Basha, është sot koha, që fitoret elektorale dhe partiake të mos shndërrohen më në humbje qytetare. Do të ishte mirë të distancohemi një herë e mirë nga praktika e mbrapshtë politike ku fitoren e një partie ta vuaje e gjithë shoqëria: me pushime hakmarrëse nga puna, administrate gjysmake, shërbime të munguara dhe një psikologji prej konkuistadori mbi popullin. Kjo shoqëri e ka dorëzuar besimin elektoral për një shtet të vërtetë, për një shtet funksional bazuar mbi një politikë pozitive.
Politika pozitive është ajo që meriton çdo qytetar i këtij vendi, nëse jemi gati të jetojmë në kontinentin ku dhe lindi demokracia. Vetëm kështu do të mund të kemi mundësinë të kryejmë punë për komunitetin e Tiranes e më gjerë, dhe në të njëjtën kohë të jemi më të pozitiv e konstruktiv në një aspekt mbarëkombëtar.
Është pjekur koha kur politika duhet të zhvendoset në orbitën e shoqërisë shqiptare. Politika jonë ka nevojë, dhe duhet të përshtatet, me ritmet e zhvillimit të kohës ku jetojmë dhe realitetin e përditshëm në Shqipëri. Shoqëria jonë tashmë europiane, meriton një politike kombëtare dhe moderne njëkohësisht, një politikë pozitive që të kapë ritmet e saj të jetës. Te shohim të vërtetën në sy dhe të flasim hapur: Erdhi koha që ne ta ndërmarrim këtë evolucion të domosdoshëm politik. Politika jonë pozitive duhet të vihet në shërbim të vendit një ore e më parë.
Pritet që si parësor, ne të ruajmë interesin social; të ofrojmë një shoqëri më të mirë për të gjithë. Parimi ynë për një progres social të përbashkët, përqafon besimin në ekonominë e lirë të tregut dhe shërbimeve cilësore, te mbështetura nga shoqëria jonë dhe shteti ynë i përbashkët. Por zhgënjimi i thellë me politiken e mbyllur dhe arrogante ndaj qytetarit, provokon humbje shprese për të ardhmen dhe një dëshpërim e pasivitet masiv tek shoqëria jonë.
Sa më pak të ardhme të shohin qytetaret në vendin e tyre të lindjes, aq më i madh do të jetë shterimi i energjisë dhe trurit nga Shqipëria. Politika që nuk janë pozitive për qytetarin, gjenerojnë një ndjenjë të përgjithshme krize: të një shoqërie të bllokuar dhe pre e një sistemi politik të paaftë të funksionojë si duhet në ndihmë të qytetarit. Madje, një numër në rritje qytetaresh po reshtin se të besuari në të ardhmen e atdheut të tyre.
Ne jemi sot një popullatë e re dhe me shume dëshirë e ambicie për të qenë të integruar dhe konkurrues në kontinentin Europian ku përkasim. Janë kapitale njerëzore të pallogaritshme që sot po e shohin të ardhmen e tyre jashtë vendit, tamam në moshën e dhënies së frutit ndaj shoqërisë dhe ekonomisë së tyre.
Në vendet e tjera në Europë, njerëzit e punës përkrahen dhe inkurajohen. Në Shqipëri shpesh ata dekurajohen dhe detyrohen të ikin, duke shkaktuar një largim në masë dhe një hemorragji të rendë në energji dhe sidomos në mendje.
Ndaj, dënimet a pushimet në masë janë një formë jo efikase dhe aspak produktive për të rritur shërbimin, punën dhe cilësinë në Bashkinë e qytetit tonë. Në fakt ato nuk kanë asnjë lidhje me administrimin e mirë të punëve, por kërkojnë vetëm “te mbarojnë punë” me administrimin respektiv të favoreve ndaj militanteve. Nëse duam të sjellim në jetë një traditë pozitive që të na shërbejë edhe në të ardhmen, pse jo në shkalle vendi, lutem që të krijojmë bashkërisht një “Komision të Administratës Publike dhe Burimeve Njerëzore” ku drejtimi të jetë, në kohë, me mirëkuptim respektiv, për opozitën aktuale.
Në përputhje me nenin 29 të ligjit nr.8652, datë 31.07.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore” si dhe të nenit 11, pika 4, nenit 23 pika 1, nenit 27 të rregullores së funksionimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, miratuar me vendimin nr.31, datë 31.05.2004, ju kërkoj ngritjen e një komisioni të përkohshëm për hetimin e procedurave dhe bazës ligjore mbi të cilat janë kryer shkarkimet në administratën e Bashkisë së Tiranës.
Me një politike pozitive, ne do të mund të veprojmë në interesin e qytetareve shqiptarë; njëkohësisht dhe të mbrojmë projekte e programe për zhvillimin e qytetit duke ndërtuar mbi mirëkuptimin dhe mbështetjen reciproke të të dy palëve. Ne të kundërt do të jemi gjithmonë duke rregulluar punët e një pakice në kurriz të shumicës së shoqërisë sonë ne përgjithësi. Qytetaret e Tiranes presin që politika në mënyrë pozitive të rregulloje jetën e tyre, duke lenë pas praktiken e mbrapshte të abuzimit me besimin e tyre të përsëritur.
Një praktike e tillë pozitive, do të mund të ruante ato pak vlera shtetformuese dhe administrative që ne sot kemi të gjithë bashkë, në këtë vend në mes të Europës. Le të ndërtojmë sot e mot, një precedent politik mbarëkombëtar të një qeverisje të kujdesshme që arrin të ruajë vlera dhe të respektojë punën edhe kur duhet të balancoje fuqinë me opozitën aktuale. Nesër kjo mund të ndodhë dhe me administrimin qendror, dhe të fituar do të ishin një herë e mirë të gjithë qytetaret e Shqipërisë.
Këshilltar i PS-së, Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›