Doracaku: si të bësh opozitë të suksesshme jashtë furrikut socialist
Një herë e një kohë në Oksident, neofitëve të gazetarisë koncepti i profesionit u shpjegohej pak a shumë kështu: një qen që kafshon një njeri është normale, kurse një njeri që kafshon një qen është një lajm. E pazakonshmja si konstante e profesionit sepse rutina e vret kohën e lirë që ka njeriu për të të lexuar ty si gazetë. Nëse e marrim si aksiomë të mirëqenë dhe e zhvendosim në elementin politikë, në radhë të parë do të konstatonim rutinën e opozitës politike shqiptare, gjithmonë e zënë me kauzën e kundërshtueshme ligjërisht të kutive. Kohët e fundit sikur e ka kuptuar se kështu nuk mund të shkonte larg. Por si çdo betejë, edhe kjo ka pasur viktima. Dhe viktima më “par excelence e kësaj beteje ka qenë vrasja e konceptit opozitë dhe zhvlerësimi i saj i qëllimtë për të mbushur egon e një njeriu për pushtet në tavolinë, pa rregulla tavoline. Afërmendsh pastaj opozita e sotme socialiste ka bërë gjithçka që ishte e mundur për të kënaqur egon e shefit, si një paradigmë e punëve të Shqipërisë. Sakatimi i opozitës i ka ardhur prej autocensurës së saj për të mos pasur ide sepse shkonin ndryshe linjës së paracaktuar nga Edi Rama.
Mandej fillon e mendon sesi mund të bëhet opozitë jashtë furrikut socialist me patjetër jashtë neuroneve të mendjes duhet kuptuar se e Majta real-socialiste që ajo përfaqëson nuk ekziston.
E majta kaviar në opozitë është Kundër. Nuk është vënë ende në dyshim Opozita me “O” të madhe është një element tejet i rëndësishëm i një sistemi demokratik. Padyshim ajo është një skuadër me peshën e madhe në stadiumin oratorik/politik dhe demokratik, sepse është një ekip që pret kohën për t’u shndërruar në një kampione dhe në një qeveri efikase. Po si mund të merret seriozisht një opozitë që është kundër dhe mohon çdo reformë apo ligj të miratuar nga maxhoranca, që refuzon arsyen dhe divorcin në debate për ligje.
Pavarësisht se sa e shprehin apo jo, nuk besoj se ka njeri që ka ndjekur politikën e 12 muajve të fundit që të mos e ketë plotësisht të qartë që opozita në Shqipëri është hijack-u (rrëmbim), është marrë peng, nga Edi Rama, taman si një terrorist merr peng një avion dhe kërcënon të bëjë këtë e atë nëse nuk i plotësohen kërkesat e tij, pa llogaritur aspak koston e atyre të marrë peng apo të shumë të tjerëve poshtë avionit. Kuptohet vetiu se për të bërë opozitë konstruktive jashtë vathës destruktive duhet pikësëpari të tejkalohet sindroma e Stokholmit, pra të dashurisë me xhelatin që të ka marrë peng.
Opozita në kryesimin e socialistëve të rinj dhe të vjetër ka kohë që jo vetëm neglizhon misionin fisnik, por ia ka hequr fare fillin rolit të të bërit opozitë, ose siç kanë thënë shumë kolegë të tjerë, është kthyer në një komisariat politik, që merr formë dhe sjellje si një OJQ, një Mjaft reloaded. Pra pikë së dyti për të bërë politikë dhe opozitë jashtë tunelit të zi duhet hequr dorë nga linja radikale dhe protesta pa kauzë të mirëfilltë.
Sepse opozitë-bërja është një funksion demokratik, dhe arsyeja e vetme që sovrani i sjell në parlament për të mbrojtur interesat e saj, dhe se nuk i voton që të bësh deklarata nga selia e PS-së. Një opozitë jashtë sutakut të Ramës ka nevojë për ide dhe vizion për të ardhmen. Ali Kimiku dhe opozita e tij deri më sot na ka treguar se politika varet nga kimia e urrejtjes dhe kalimi i degraduar i ngjarjeve në vetvete është edhe zgjidhja e gurit filozofik për të ardhur në pushtet. Opozita jashtë gollës socialiste pikë së treti duhet t’i largohet retorikës qëllimisht kundërthënëse dhe shpesh herë shumëkuptimëshe, të cilat kanë shoqëruar ditët politike që nga 28 qershori dhe ikje-ardhjet e opozitës nga sheshi i protestave, i grevës së urisë në takimet e xhumasë me gazetarët në qelinë e PS-së.
Opozita jashtë Velisë dhe Qelisë, për të qenë e atillë duhet të largohet nga anti-berishizmi maniakal, që prej largimit nga pushteti, ka vënë në qendër të akuzave të saj Sali Berishën (dhe koalicionin e tij, ndërkohë që asnjëherë nuk analizon shkaqet e largimit të saj nga pushteti, interesit të elektoratit të saj dhe interesit kombëtar). Edi Rama ka pasur mendimin e gabuar se mënyra më e mirë dhe më e shpejtë për të marrë pushtetin dhe krijuar solidaritetin midis njerëzve ishte gjetja hipotetike e një armiku të përbashkët që u prek interesat dhe ndjeshmërinë e të gjithë socialistëve, të ndershëm e të pandershëm, të rinj dhe të vjetër, ekologjistë dhe komunistë: të gjithë të harrojnë së çfarë i ndan, sepse bashkohen dhe përqendrohen tek ai që i ka sjellë atyre humbjen. Ka një vit që Edi Rama e përdor këtë taktikë për të bërë opozitë: armikun nuk e gjetën sepse e kishin aty: Sali Berishën, i pamposhturi i shumë furtunave politike. Opozita përditë në konferenca për shtyp përdor teknikën e demaskimit, të demaskimit të paaftësisë se qeveritarëve, të keqdashjes në katastrofa natyrore dhe njerëzore, natyrisht me shpresë kriza ekonomike botërore të ilustrojë dhe me dështime ekonomike, si dhe në fushën e abuzimeve me pushtetin.