E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria miraton reduktimin e dietave dhe udhëtimet e zyrtarëve të lartë

Shkurtimet e shpenzimeve operative


Në vijim të masave paraprake për shkurtimin e shpenzimeve buxhetore, Këshilli i Ministrave ka miratuar mbledhjen e djeshme menaxhimin specifik të përdorimit të fondeve publike. Me vendim qeverie është caktuar që shpenzimet e personelit të miratuara në ligjin “Për buxhetin e vitit 2010”, për çdo njësi të qeverisjes së përgjithshme të përbëjnë kufirin maksimal të lejuar dhe të përdoren me mjaft kujdes. Konkretisht, vendimi përcakton që shpenzimet e personelit të dhëna me hollësi, në nivel mujor dhe të depozituara në Drejtorinë e Përgjithshme të Thesarit, në Ministrinë e Financave, nuk avancohen. “Fondi i veçantë i planifikuar në shpenzimet e personelit të mos përdoret për shpërblime e për veprimtari social-kulturore, deri më datë 1 dhjetor 2010”, paracakton ky vendim. Ndërsa shtohet brenda tij se çdo shpërblim, i dhënë në kundërshtim me vendimin nr. 1151, datë 25.11.2009, të Këshillit të Ministrave, përjashtuar pikën 5 të tij, të kthehet në buxhetin e njësisë shpenzuese. “Shpenzimet e personelit, për orë pune, mbi kohën normale të punës, të përdorura në kundërshtim me udhëzimin nr. 19, datë 10.7.2008, të ministrit të Financave, “Për vendosjen e disa standardeve në planifikimin e shpenzimeve për personelin”, të kthehen në buxhetin e njësisë shpenzuese”, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave. Duke paralajmëruar se nuk duhet të ndërmerren ndryshime në strukturat ekzistuese, që shoqërohen me efekte financiare shtesë, por përjashton nga ky kufizim krijimin e institucioneve të reja. “Pagesat për nëpunësit civilë, që janë në listë pritjeje, jepen vetëm pas konfirmimit zyrtar të Departamentit të Administratës Publike dhe përfshijnë pagesën për nivelin e pagës për funksion, pagës për diplomë dhe pagës për vjetërsi në punë, ndërsa të gjitha fondet buxhetore, që i nënshtrohen procedurave të prokurimit publik, të cilat deri më datë 1 gusht 2010 rezultojnë të pa prokuruara, të bllokohen. Në kuptim të këtij vendimi, fonde të pa prokuruara do të vlerësohen ato fonde, për të cilat, deri më 1 gusht, nuk është lidhur kontratë. Trajnimet jashtë vendit për nëpunësit e njësive të qeverisjes së përgjithshme, të parashikuara për t’u mbuluar me fondet e miratuara për vitin 2010, bllokohen, dhe se shpenzimet për udhëtime e dieta për njësitë e qeverisjes së përgjithshme të reduktohen, duke përfshirë vetëm udhëtime të rëndësisë së veçantë e vetëm për një numër të kufizuar punonjësish”, vijon vendimi i Qeverisë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›