Dorëheqja e Bashës, PD pro dhe kundër

PD vijon të jetë në një shkulm përplasjesh brenda saj, ku nga njëra anë kërkohet që kreu i PD, Lulzim Basha, të japë dorëheqjen, dhe nga ana tjetër, një grup që deklaron se ai nuk ka përse ta bëjë një akt të tillë. Dy kandidatët e PD në Dibër e Shkodër, përkatësisht Luan Haka dhe Xhemal Bushati, deklarojnë se Basha nuk ka përse të japë dorëgheqje.
Pak para se të nisë mbledhja në selinë e PD, Haka kandidati i PD për kryetar bashkie në Dibër, deklaroi për mediat se “një bandë ka qenë e pranishme”, duke bërë që ai të mos fitonte zgjedhjet. Sipas Hakës, humbja erdhi si pasojë se në Dibër janë blerë votat.
“Me atë bandë që ka qenë në Dibër, ishte e vështirë. Të gjithë ministrat kanë qenë në Dibër dhe e dinë të gjithë sa është bërë pagesa për një votë në Dibër. Basha ka bërë fushatë. Pse, Basha duhet ta mbrojë votën në Dibër? E gjithë administrata ishte në Dibër”, tha Haka.
Edhe Bushati, i cili kandidoi për bashkinë Shkodër, tha se Basha nuk duhet ta japë në asnjë mënyrë dorëheqjen nga drejtimi i PD. Bushati tha se lidership më të ri se Basha “nuk ka deri më tani në Partinë Demokratike”. Ai këmbëngul se duhet të bëhet një analizë për atë çfarë ndodhi në zgjedhjet e pjesshme vendore.
Disa deputetë të PD-së, dje dhe sot, kanë kërkuar dorëheqjen e Bashës, si pjesë e përgjegjësisë për paraqitjen e dobët të PD-së në zgjedhjet e pjesshme vendore që u zhvilluan në 6 bashki.