Dorëheqja e Spahiut, Topi: E drejtë individuale, e respektoj
“Dorëheqjet janë individuale dhe duhen respektuar si të tilla”. Këtë koment ka dhënë presidenti i Republikës, njëherësh dhe kryetar i KLD, Bamir Topi lidhur me dhënien e dorëheqjes së zv.kryetarit të KLD-së Kreshnik Spahiu. Nëse shkarkimi i Spahiut është kompetencë e Parlamentit apo e Presidentit, Topi u shpreh se “nuk interferoj në këtë cështje për sa kohë ai ka dërguar padinë e tij në Gjykatën Kushtetuese”. Në këtë kontekst Presidenti Topi duke e vlerësuar si shumë të rëndësishë postin e zv.kreut të KLD-së ka përjashtuar zgjatjen në kohë të mbetjes së vendit vakant, duke theksuar se në mbledhjen më të afërt do diskutohet për këtë cështje.
Zv. Kryetari i KLD-së dhe kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu ka dhënë sot dorëheqjen nga posti i nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në një konferencë për shtyp, Spahiu theksoi se shkak për këtë janë presionet e vazhdueshme të pushtetit, që siç tha ai kanë nisur që në vitin 2008. Gjithashtu Spahiu theksoi se do t`i drejtohet edhe Gjykatës Kushtetuese në lidhje me antikushtetueshmërinë e ngritjes së komisionit parlametar për të hetuar veprimtarinë e tij si nënkryetar i KLD-së.