E Diel, 1 Nëntor 2026

Dorëheqja e gjyqtarit, kreu i Kushtetueses: Votoi pro Topit

TIRANE- Anëtari i Gjykatës Kush tetuese, Petrit Plloçi dha dje dorëheqjen, duke kundërshtuar zgjatjen e gjatë të mandatit të tij, që i kishte përfunduar prej muajit maj të vitit 2010. Parlamenti bllokoi zëvendësimin e tij si edhe të dy anëtarëve të tjerë të Kushtetueses, Xhezair Zaganjori e Admir Thanza. Po ashtu dhe vetë kjo Gjykatë e konfirmoi këtë vendim pak ditë më parë. 

Por Plloçi e konsideron këtë si një cënim të rëndë të legjitimitetit të Gjykatës Kushtetuese. Në tekstin e tij të dorëheqjes ai mësohet të jetë shprehur se “mandati mund të zgjasë për një kohë të arsyeshme siç parashikon Kushtetuta deri në ardhjen e pasardhësit, porse nuk mund të jetë aq e gjatë sa të përbëjë një konsumim të një pjese substanciale të një mandati të dytë 9 vjeçar siç po ndodh në rastin në fjalë”, ka saktësuar Plloçi. Sipas tij “kjo situatë e bllokimit të procedurës së emërimit të gjyqtarit zëvendësues cënon rëndë legjitimitetin e Gjykatës Kushtetuese”. 

Gjyqtari Plloçi, ka shpjeguar se shpreson që dorëheqja e tij të shërbejë si nxitje për gjetjen e një zgjidhjeje kushtetuese të problemit. Ndërkohë në një prononcim për “Gazeta Shqiptare”, kreu i këtij institucioni, Bashkim Dedja ka konfirmuar aktin e gjyqtarit dhe argumentat e tij në tekstin e dorëheqjes. “Është e vërtetë që z.Plloçi më ka paraqitur tekstin e dorëheqjes. Në vitin 2010 gjykata ka konstatuar përfundimin e mandatit të tij si anëtar i saj por duke qenë se ligji e lejon, ai ka vijuar të qëndrojë në detyrë deri në zëvendësim. Z.Plloçi është një ndër tre gjyqtarët që kanë votuar kundër shumicës sa i përket
çështjes së dekreteve të Topit dhe kjo pasqyrohet edhe në tekstin e tij të dorëheqjes”, konfirmoi Dedja. 

Vitin e kaluar Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekretoi Vangjel Kostën, Bashkim Dedaj dhe Altina Xhoxhaj për vendet vakante në GJK. Por Parlamenti, vendosi të mos t’i merrte në konsideratë duke qenë se kish emëruar më parë tre anëtarë të tjerë të rinj, duke shpjeguar se kështu do të bëhej rotacioni normal i parashikuar çdo tre vjet për një të tretën e anëtarëve të saj. Këtë arsyetim e pranoi edhe vetë Gjykata Kushtetuese pas kërkesës për interpretim të paraqitur nga presidenti Topi, duke fiksuar se për tre anëtarët pa mandat, zëvendësimi do të bëhej në prill të vitit të ardhshëm. Tre nga 9 anëtarët votuan kundër kësaj zgjidhjeje dhe z.Plloçi ishte një prej tyre. Largimi i tij pritet të hapë debate të reja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›