E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, Shalsi: Mocin për Berishën dhe Topallin

TIRANE- Deputeti socialist, Eduart Shalsi deklaroi dje, se grupi i deputetëve të PS-së do të diskutojë dhe vendosë javën që vjen në lidhje me një mocion besimi ndaj kryetares së Kuvendit dhe kryeministrit Sali Berisha. 

Në një intervistë për “News 24”, nënkryetari i grupit parlamentar të kësaj partie tha se kjo ide po shikohet seriozisht, sidomos pas shkeljeve të fundit në Kuvend, me votimin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Shalsi deklaroi dje, se shkelja në mënyrën e votimit të Elvis Çefës ishte flagrante. Por, gjithsesi, vendimi nëse ky mocion do të iniciohet këtë herë ose jo, pritet të diskutohet në mbledhjen e grupit parlamentar. 

“Vetëm javën që kaloi ne patëm dhe ishim dëshmitarë të një procesi krejtësisht të papranueshëm për një vend demokratik. Instrumentet, mekanizmat, qoftë për mocion ndaj Kryeministrit apo kryetares së Parlamentit, janë një çështje që do të dalë më në pah në ditët në vijim”,- u shpreh Shalsi. Kjo është e disata herë që opozita mendon për inicimin e një mocioni kundër kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, por ajo që vihet në diskutim është çështja e votave, të cilat grupi i PS-së nuk i ka.
(ma.ar/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›