E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dorëheqje me dorëzani

Për të qenë korrekt në trajtesën e mëposhtme, më poshtë kam cituar qëllimisht shpjegimin e dy fjalëve, sipas Fjalorit të Gjuhës Shqipe .... 
Dorëheqje: Largimi me hir e pahir nga pushteti, nga një detyrë zyrtare etj. 

Dorëzani: Zotimi që merr dikush për të përmbushur detyrimet e një tjetri, në qoftë se ky nuk i plotëson dot ato; siguria që jep dikush, duke marrë mbi vete çdo përgjegjësi, se një tjetër do t’i plotësojë detyrimet e veta, se do të veprojë ashtu siç kërkohet prej tij etj. 

Besoj të jetë e kuptueshme që në fillesë se ekziston një lidhje jo dhe aq indirekte, madje e hapur, mes detyrimit ligjor e moral për t’u dorëhequr, pas humbjes befasuese, dhe nevojës së ngutshme të Berishës për të kërkuar me çdo kusht dorëzani. Po të lëçitësh fjalën e ish-kryeministrit më 26 qershor pa emocion e pa përlotje prej militanti të verbër, si dhe po të shohësh se si i dorëhequri, fill pas dy ditësh drejtoi dhe orientoi partinë dhe kryesinë e saj, mund të zhbirilohet lehtë nga çdokush se e ç’natyre ishte dorëheqja. E veshur me tipare më shumë kanunore se demokratike, dorëheqja u përcoll me deklarimin e habitshëm se ai nuk ka për të thënë kurrë politikisht, sa të jetë gjallë: ‘lamtumirë!’ Kjo nënkupton se atij nuk do t’i nevojitet dhe aq politikëbërja, sa dorëzania; siguria e garancia, se prehja dhe qetësia në vetmi e në pension; dhe se do të ruajë ndikimin në parti e në politikë, duke përjashtuar rolin e shumëpërfolur gjatë fushatës të një gjyshi të dhembshur e të lodhur që rrëfen përralla... Dhe më pas vërshoi lumi i sukseseve... Asnjë ndjesë, asnjë gabim, asnjë e metë, paçka se “të gjithë përgjegjësinë e ka një njeri, unë, Sali Berisha!” 

Vetëm një dorëheqje e dhënë me/në dorëzani, përveçse të mallëngjejë ndjekësit, dëshmon edhe për frikën e gjykimit objektiv apo të ndëshkimit të nesërm, sigurisht jo vetëm nga historia, po edhe nga bashkëkohësit... Që do të thotë: ti e pranove vetë fajin, i shqiptove në publik gabimet, e pohove vetë që dështove, atëherë nuk ke të drejtë të justifikohesh nesër se po ndëshkohesh padrejtësisht, me kartën e motivimit “politikisht”! Pikërisht këtij detyrimi iu shmang; është kjo frikë e ky dyshim që përforcon qëllimin dhe domosdonë e dorëheqjes me dorëzani. Në këtë rast pyetja më racionale do të ishte: Kujt i kërkohet dorëzania pas kësaj dorëheqjeje “historike”? Partisë, popullit, kundërshtarëve, historisë, atij/atyre që do ta zëvendësojnë, apo organeve të Drejtësisë? 

***
Kur një udhëheqës i dorëhequr, pas humbjes së zgjedhjeve, pas largimit të detyruar nga pushteti shtrëngohet të kërkojë dorëzani, do të thotë se ka një hall të madh e të pazgjidhur me të shkuarën e me të ardhmen e tij. Se ka frikë të bëhet i zakontë, pa pushtet, “një si ne”. Se, edhe sikur të dojë të kthehet në anonimat, nuk e ka në dorë mundësinë e sigurisë e të rehatisë që të ofron një tërheqje e pastër dhe e sinqertë, “me duar të pastra”. Berisha e ka të vështirë e të pamundur të ulet në një kafe të kryeqytetit si njeri civil... Këtë lloj të dorëhequri nuk e përndjekin lavdia, meritat, fama, sesa dëmet, fajet, hasmëritë, gjynahet dhe krimet e së kaluarës, të cilat e persekutojnë dhe rëndojnë më tepër kur je i pambrojtur, pa pushtet. Vetëm dorëzania (politikisht mund të quhet me një term më bashkëkohor e juridik: imunitet) mund t’i krijojë besim e siguri, ndjesinë e garancisë se mund t’i shpëtojë ndëshkimit, duke e kapërcyer, pa u lagur, përroin e paparashikueshëm të historisë.  

Berisha vërtet doli nga skena, por nuk shkoi në shtëpi, si kanë ikur të gjithë burrat e nderuar të shtetit, që nga Kohli, De Goli, Mandela, apo edhe Xhorxh Bushi. Përkundrazi. Dorëheqja që vë si kusht dorëzaninë është frikë, mashtrim, panik, është hile, hedhje “hi syve” shoqërisë, kurth kanunor që tentohet t’i bëhet së nesërmes. Berisha kaloi pas perdes, për të luajtur, pa rënë në sy, në teatrin e ri të kukullave, duke mbetur regjisor. Që do të thotë se do të mbetet në politikë si deputet i Kuvendit dhe si anëtar i përkushtuar i partisë, “lideri historik”, fjala e të cilit, edhe si anëtar i thjeshtë, (“një nga ju!”), do të jetë po aq e padiskutueshme, në mos më tepër, sesa kur ishte kryeministër e president. E tha vetë se do të organizojë zgjedhjet në parti për lidershipin e ri. Kjo do të thotë se ish-kryetari i dorëhequr i PD-së do të përcaktojë e do të përzgjedhë mëkëmbësin. Kësisoj gjykimet e tij kanë për të mbetur, edhe pa qenë fizikisht nëpër forume, përcaktuese mbi çdo vendimmarrje të partisë e të opozitës së nesërme. Ky rol i përforcuar i “liderit historik” mbi partinë dhe, pse jo, edhe mbi shoqërinë (sepse “ka më shumë energji se kurrë”), ka për të qenë më qenësor, më trysnor, më i padiskutueshëm, ndonëse pas kuintave, sepse do ta veshë me antiplumbin e dorëzanisë jo vetëm dorëheqjen dhe emrin e tij, po edhe opozitën e nesërme.
 
***
Nuk kishin faj militantët që u prekën dhe u mallëngjyen teksa dëgjuan se Berisha deklaroi me zë të dredhur se i merrte të gjitha përgjegjësinë mbi vete. (Por ama nuk përmendi as për të larë gojën as edhe një faj apo gabim të vetin!) Kjo thagmë i detyroi ndjekësit e afërm të tij, - të cilët e dinë se është ai, edhe pse i dorëhequr, që i ka të gjitha çelësat e partisë, - ta quajnë burrë shteti, të përjetshëm, nder që i bëri kombit, integrimit, një standard i lartë demokracie, “Skënderbe”, “Ismail Qemal”, kalorës, burrë fisnik etj, etj... Ky inskenim amatoresk i një lavdie pa lavdi që përcolli dorëheqjen “historike” të Berishës (që të kujtonte varrimin e Hoxhës) synonte ta përforconte e ta nxirrte dorëzaninë nga korridoret e partisë për ta hapërdarë si egjër nëpër të gjithë kapilarët e shoqërisë. 

Përsëritja fillimisht prej tij e meritave dhe e sukseseve të panumërta (më pas kjo detyrë tribale u krye “me sukses” edhe nga vartësit e tij!), duke vënë në plan të parë jo vetëm tunelet, rrugët, po edhe TAP-in, (“Ah, ç’na erdhi ky lajm i mrekullueshëm me vonesë!”), që shqiptarët të besojnë e të kujtojnë se gabuan rëndë dhe se u treguan mosmirënjohës me të... Ajo që dëgjohet rëndom këto ditë është: Fat i madh që patëm një udhëheqës kaq të madh! Madje një prej këtyre silurëve mediatikë shkoi aq larg, sa deklaroi se ky popull (kupto: ‘i pagdhendur’) nuk e meriton një të tillë udhëheqës kaq lavdimadh e madhështor! Kjo do të thotë se nuk mjafton as të pendohet nesër që e largoi dhe e ndëshkoi “padrejtësisht” “liderin historik”. Kjo kërkesë ultimative dhe harbute për dorëzani është fyerje e rëndë për shumicën dërrmuese të popullit, i cili votoi masivisht kundër tij, duke e larguar nga pushteti si të padëshiruar!... Se, ku është parë e dëgjuar të cilësohet një humbje e tillë e turpshme e një lideri si një gjë krenare, madje edhe si një turp e faj kombëtar? 

Edhe inskenimi i militantëve që qanin dhe brohorisnin a thua se Berisha i kishte fituar zgjedhjet, ishte projektuar enkas që të vlente si një dekor mbresëlënës, jo për dorëheqjen dhe dështimin e tij, sesa si një ilustrim skematik i nevojës së ngutshme të Berishës për dorëzani. Nuk e dinë të gjorët se në një demokraci funksionale, evropiane, nuk ka pasur e kurrë nuk mund të pranohet një dorëheqje me dorëzani. Një e tillë dorëheqje me dorëzani nuk u pa e nuk u shfaq as në shoqëritë që kaluan nga diktaturat aziatike në “pranverën arabe”. Por krerët tanë, si duken bathët, përherë gjejnë rastin të provojnë se i përkasin një tjetër race, një specieje kryekrejt të veçantë!
Fatkeqësisht hë për hë edhe këtë haraç do të jemi të detyruar ta paguajmë ne, qytetarët! 
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›