E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në vend të rekuiemit

Nuk ia vlen të merresh me Sali Berishën. Kufoma e tij ka disa ditë që kalbet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe do rrijë edhe
për disa javë,deri sa ta heqin. Nuk duhen prishur me të, këto ditë kur liria e ndrojtur ka filluar e futet në ambientet e Tiranës.
Por ka po kaq ditë, që një dorë gazetarësh, me njohuri rudimentare për historinë, kanë filluar i thurin ditirambe në të vdekur, po aq sa në të gjallë. Me fraza të kopjuara keqas nga reportazhe lamtumire burrash shteti që ka pasur bota, të përpunuara në laboratorin e tyre çyryk të kulturës, duan t’i vendosin kurorë Çezari, njeriut që në 23 vjet terrorizoi çdo ëndërr të shqiptarëve. Le ta kursejnë bojën e letrën. Le të shkojnë tek stalla e pushtetit të ri, dhe kërkojnë grazhdën. Zoti i vjetër ka vdekur e nuk kthehet më. Zoti që iku nuk do kujtohet për mirë.
Njeriu që na qeverisi e na kushtëzoi për çerek shekulli u rrek të bënte një dalje të madhe nga skena dhe nxori lot. U ngatërrua. Kultura prej magazine pa inventar e ngatërroi keq. Burrat e shtetit derdhin lot përpara ushtarëve të vrarë nën urdhrat e tyre dhe jo kur ikin nga pushtetit. Burrat e shtetit nuk e lenë veten të degradojnë deri kur votimi popullor ka vetëm një mesazh: “Shporru”. Burrat e shtetit janë prej atyre që e kanë provuar shijen e barutit. Berisha një herë të vetme që qëlloi, ishte për të vrarë katër shqiptarë të pambrojtur tek dera e Kryeministrisë. 

Nuk dimë çfarë t’i kujtojmë: kontrabandën e naftës me Serbinë; firmat piramidale që na futi duart në xhepa e na la rrugëve; vitin ‘97 kur hapi depot e armatimit, shkatërroi shtetin e gati na çoi në luftë civile dhe bota erdhi të na mbante terezinë; vitin ‘98 kur sulmonte me arkivol Kryeministrinë; vitin ‘99 kur digjte me molotov ministritë; luftën e Kosovës kur votonte në parlament kundër dislokimit të helikopterëve Apashë në Shqipëri; hedhjen e shtyllave të tensionit të lartë elektrik në erë; sulmet ndaj komisariateve të policisë; vjedhjet miliona euroshe të tenderave të rrugëve me në krye Rrugën e Kombit; të vrarët në Gërdec me ndërmjetës djalin e tij; tetë miliardë euro borxh të marra që po na lë në kurriz dhe arkën e shtetit bosh; plehrat që importoi dhe ligjin e tyre; plehrat e historisë që ngriti nga varri dhe iu bëri monumente; sistemin e vlerave të kthyer përmbys me institute dhe akademi të shkatërruara; albanologji të deformuar dhe të lënë në dorë të një personazhi me gjak serb në deje; sistemin klientelist të ekonomisë; deformimin moral të shoqërisë dhe opozitës; arsimin e lartë të kthyer në një punishte diplomash me simbole si “Kristali”, që na bëri gazin e botës; botën e krimit e cila është e lidhur me qehallarët e tij në polici dhe shtet, duke u bërë një korporatë e përbashkët “Krim & Shtet”; shitjen e tërësisë territoriale, me marrëveshjen e detit si më e bujshmja; marrëveshjen për varrezat e ushtarëve grekë, me të cilën vrasësve tanë iu dha vendin e nderit; sistemin e hidrocentraleve që i ofroi si shpëtim energjitik, por janë minierë korrupsioni dhe dinamit shkatërrimi ekologjik; gjysmë miliard euro të dhëna firmave serbe në tendera shtetërorë; ushtrinë e shpërbërë dhe të shkatërruar nga një karikaturë politike si ministri i tij i Mbrojtjes; ndarjen e vendit në Jug dhe Veri, në toskë dhe gegë; përdhosjen e administratës civile; shkatërrimin e diplomacisë; shitjen e interesave tona strategjike. Ky na qenka burri i shtetit që po qajnë? Ky ishte mallkimi ynë, për kushedi se çfarë mëkati që kemi bërë në historinë tonë; ishte murtajë morale, plagët e së cilës do duhen dekada t’i riparojmë; ishte virusi, që i shndërruar gjenetikisht, do përpiqet të hyjë rishtas në jetët tona; njeriu që në çerek shekulli na deformoi po aq sa komunizmi, në mos më tepër. 

Në ditët që vijnë, sa më shumë të kalojnë, aq më tepër do kuptojmë zezonën që na kishte pllakosur. Në ditë që vijnë, Sali Berisha nën thirrjet nostalgjike të ndjekësve të tij dhe ditirambet panegjerike të pasuesve, do përpiqet të lerë vezët. Por të paktën këto ditë, le të shijojmë tretjen e frymës së tij nga klima e vendit. 

Sa vjen më pas, është beteja jonë e përditshme dhe e përjetshme për përsosjen e vendit dhe shoqërisë ku jetojmë, pa iluzione se ata që zgjodhëm janë engjëj. Përkundrazi bathët tregojnë kohë me shi. Por të paktën dolëm nga breshëri dhe acari ku ishim. Ndjekësve të tij, nëse iu duhet ndonjë ngushëllim, ja një: Sali Berishën e mundën shqiptarët, ndaj askush tjetër nuk ka të drejtë të fryhet e mburret për rrëzimin e tij, apo mbështetësit të turpërohen pse nuk e mbajtën dot.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›