E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Spiunohen" dosjet e Obamës, Hillari Klintonit e Xhon MekKejnit

Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi dje se dosjet e pasaportave të tre kandidatëve presidencialë ishin hapur pa autorizim. Pohimi erdhi pasi u bë e ditur se dosja e senatorit Barak Obama ishte parë më shumë se një herë nga disa punonjës të paautorizuar. Një prej tyre madje kishte hyrë edhe në dosjet e senatorit republikan Xhon MekKejn. Po të premten, edhe zyra e senatores Hillari Klinton kishte deklaruar se Departamenti i Shtetit kishte njoftuar se edhe dosja e saj ishte kontrolluar në 2007-ën. Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoleca Rajs, bëri të ditur se i kishte kërkuar ndjesë kandidatit demokrat për Shtëpinë e Bardhë, Barak Obama, për një incident lidhur me pasaportën e tij. "I thashë se më vjen keq. I thashë se edhe unë do të zemërohesha shumë nëse do të merrja vesh se dikush kishte parë në dosjen e pasaportës sime", deklaroi shefja e diplomacisë amerikane, duke bërë të ditur më pas se Departamenti i Shtetit kishte hapur një hetim për këtë incident. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Shon MekKormak, njoftoi po ashtu se kishte filluar një hetim pas aksesit pa autorizim të disa prej nëpunësve të tij në dosjen e pasaportës së Barak Obamës. "Përgjegjësit e njësive të hetimit do ta trajtojnë këtë çështje me prioritet", shtoi MekKormak. Dy punonjës të Departamentit të Shtetit janë pushuar nga puna, ndërsa një i tretë është sanksionuar pas publikimit të lajmit. "Këto shqyrtime të dosjes u zbuluan nga Departamenti i Shtetit. Ne do të marrim masa të menjëhershme për të qenë të sigurt se nuk është fjala për asgjë më shumë se sa një kuriozitet i pakujdesshëm", deklaroi nënsekretari i Shtetit, Pat Kenedi, që saktësoi se këto incidente janë përsëritur disa herë radhazi, në janar, shkurt dhe mars. "Në dy raste, nëpunësit janë pushuar menjëherë, i treti është sanksionuar", shtoi ai. Departamenti i Shtetit gjithsesi ka refuzuar të japë emrat e punonjësve të implikuar. Shkelja ngjason me një "kuriozitet të pakujdesshëm dhe të pajustifikuar", kishte thënë MekKormak, duke shtuar se Departamenti i Shtetit, nuk ka qenë në dijeni të këtij incidenti deri të enjten pasdite. Shkeljet, ndërkohë, kanë ndodhur më 9 janar, 21 shkurt dhe 14 mars. Një burim nga Departamenti i Shtetit tha se dosjet e pasaportave përmbajnë imazhe të skanuara të aplikimeve për pasaportë, datën e lindjes, si edhe informacionet kryesore biografike, të dhëna për rinovimin e pasaportave dhe informacione të tjera. Zyra e kandidatit Obama ka kërkuar një hetim të plotë për zbulimin e shkelësve dhe qëllimeve të tyre. Lajmi, gjithsesi, ka kujtuar një incident të ngjashëm gjatë fushatës presidenciale të 1992-shit, kur dosja e Bill Klintonit u shkel pa autorizim. Madje edhe FBI-ja kishte kryer hetime, pasi Departamenti i Shtetit kishte raportuar se dikush kishte grisur faqe nga dosja e pasaportës së kandidatit të atëhershëm për President, Bill Klinton, që kishin të bënin me fundvitet ‘60-të e deri në ‘70-ën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›