E Diel, 1 Nëntor 2026

Dorëhiqet nga funksionet, anëtari i Këshillit Kombëtar të PD: Strukturat u morën peng nga nepotikët

TIRANË-Besnik Jaku, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD, i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, bëri të ditur se dorëhiqet nga të gjitha strukturat e Partisë Demokratike.

“Kam dhënë dorëheqjen nga PD-ja pasi në këtë parti mungon organizimi partiak prej kohësh. Ka 4 vjet që nuk mblidhet Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, organi statutor me i lartë i drejtimit të partisë nga kuvendi në kuvend, i cili nuk ka kryer as minimumin e funksionit të tij statutor, pra zgjedhjen e nënkryetarëve dhe sekretariatit të partisë, e jo më të mblidhet në mënyrë të vazhdueshme për të analizuar dhe diskutuar mbi qeverisjen e vendit, programin me të cilin dilet përpara qytetarëve, figurat që do ta përfaqësojnë Partinë Demokratike në qeverisje, etj. Kurse lideri i PD është izoluar tërësisht nga problemet aktuale. Në PD nuk ndiqen më zyrtarisht procedurat”, shpjegoi largimin e tij nga Partia Demokratike, Besnik Jaku në një intervistë me gazetaren, Nisida Tufa.

Jaku sqaroi se “PD-ja dhe strukturat e saj nuk funksiojnë në mënyrë legjitime, pasi një grup i ka marrë peng strukturat e saj dhe i përdor ato për interesat personale. Ky grup sqaroi ai vepron si “një klan nepotik” dhe nuk ka ato principe, që PD - ja kishte kur u themelua.

“Më rezulton se Partia Demokratike dhe Qeveria e saj janë shkëputur nga realiteti dhe po vuajnë nga “sindroma e lodhjes nga pushteti”.

“Kjo situatë është shkaktuar nga një grup njerëzish rreth liderit, të cilët me etje për pushtet dhe për të përfituar në mënyrë të pandershme dhe të paligjshme nga pushteti, kane bllokuar dhe izoluar strukturat legjitime të partisë, duke i anashkaluar e mosvlerësuar ato, duke mos i mbledhur mbi bazën e statutit e me frymë legjitime, për të diskutuar zhvillimet politike e qeverisëse për të cilat janë të mandatuara. Fatkeqësisht, më rezulton se ky grup është i ndërtuar mbi baza nepotike e interesa financiare, dhe ka marrë peng strukturat e Partisë Demokratike e të Qeverisë”, u shpreh më tej Jakaj.

“Ky grup, për të realizuar qëllimet e veta, duke kontrolluar Partinë Demokratike dhe qeverisjen e vendit, nuk është mbështetur tek njerëzit me kontribute politike në PD, me vlera morale dhe aftësi intelektuale. Për këtë kanë përzgjedhur elemente të vecantë, brenda dhe jashtë strukturave të partisë, të gatshëm t’i shërbejnë pa u ndjerë interesave të grupit”, shtoi më tej Jaku.

Jaku, ish-anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike tha se ka qenë aktiv gjatë jetës së tij politike për 20 vjet, ndaj u kërkoi anëtarëve të PD që ta kuptojnë për dorëheqjen e tij.

Ai shtoi se për këtë çështje ka biseduar edhe me anëtarët e tjerë të Këshillit të PD-së nëpër rrethe dhe se ka një grup njerëzish, që e mbështesin në qëndrimet e tij.
“Në strukturat e PD ka shumë të pakënaqur", shtoi më tej Jaku.

Besnik Jaku, me profesion mjek nefrolog, ka kontribuar prej 20 vjetësh në Partinë Demokratike, si anëtar i zgjedhur në Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike dhe anëtar i Kryesisë së Forumit Rinor të Partisë Demokratike, për 12 vjet, në tre kuvende.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›