E Shtunë, 31 Tetor 2026

Referendumi në mars, PD: Akt normativ, s´duhet konsensus

 Kështu shprehet deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj. Ai tregon se cila rrugë mund të ndiqet, ndërsa deri tani njohësit e Kushtetutës e kanë vlerësuar atë të pamundur nëse nuk ka konsensus mes palëve politike. Sipas Alibeajt, në referendum popullor mund të dërgohet një draft që nuk prek Kushtetutën dhe në këtë rast do të zbatohej neni 150 i saj që i njeh të drejtën edhe këshillit të ministrave të ndërmarrë nismën dhe që nuk kërkon shumicë të cilësuar në Parlament.

"A mundet qe koraca imunitare, siç është përcaktuar në Kushtetutë dhe në legjislacion të mund të kodifikohet, pra të kufizohet imuniteti në këtë rast me një ligj? Përgjigjen nuk po e jap unë, e ka dhënë Komisioni i Venecias. Përgjigja ka qenë "po" edhe me akte normative jo të raundit kushtetues, pra me ligje apo vendime të Kuvendit, mund të kufizohet imunitetit me një kusht. Kushti është që, ky akt normativ do të duhej të miratohej me 3/5 e deputetëve në këtë rast. Por, nëse një ligj apo akt normativ miratohet nga populli ky e tejkalon shumëfish 3/5 e deputetëve", shpjegon Alibeaj.

Por çfarë mund të sjellë kufizimi i imunitetit me një akt normative, kur në rastin e Shqipërisë ai është sanksionuar në Kushtetutë. "Kushtetuta që ka zgjedhur Republika e Shqipërisë, sovrani, populli në këtë rast, përcakton atë nuklin thelbësor, bazik, i cili detajohet, modelohet me ligje. Dhe kjo është mënyra që kemi zgjedhur dhe kemi implementuar që nga viti 1998 e këtej", deklaron Alibeaj, cituar nga “AS”

Forca kryesore e opozitës është shprehur se rruga e vetme për të çuar në referendum draftin aktual të imuniteteve që realizohet përmes ndryshimeve në Kushtetutë, është zbatimi neni 177 i librit themeltar të shtetit, që detyron konsensus mes palëve. Socialistët thonë se do të japin konsensus nëse qytetarët vendosin jo vetëm për imunitetin por edhe për çështjen e importit të plehrave dhe reformën në drejtësi. /Start/

                                                                                             2012-08-11 16:39
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›