PD: Rama e do imunitetin për të mbrojtur klubin e miliarderëve. Sadri Abazi ka deklaruar 50 milion USD pasuri
Partia Demokratike përmes zëdhënëses së saj, Silvi Bardhi, deklaroi sot sërish se Edi Rama dhe PS nuk e bllokojnë dot referendumin për heqjen e imunitetit.
Pas bllokimin në Parlament të heqjes së imunitetit më dt. 6 gusht dhe bllokimit të statusit të vendit kandidat për antar në Bashkimin Europian, z. Rama dhe klubi i miliarderëve në krye të Partisë Socialiste ndjehen të tmerruar nga vendimi i mazhorancës për heqjen e imunitetit nëpërmjet verdiktit të qytetarëve, thirrjes së referendumit popullor.
Në një kaos të plotë, një ditë ata kërkojnë dhe zotohen se do të vendosin Kushtetutën e sundimit të pakicës, një ditë tjetër z.Rama kërcënon qytetarët dhe mazhorancën se ai në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e vendit e cila nuk lejon kurrë referendume për çështje territoriale se ai do të kërkojë referendum për kufirin detar të vendit.
Me këtë deklaratë, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama dhe klubi i miliarderëve në kryesinë e Partisë Socialiste, provojnë se për të kundërshtuar heqjen e imunitetit janë gati të dhunojnë Kushtetutën e vendit dhe të shkelmojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, tha Bardhi.
Zëdhënësja e PD tha se kërcënimet e Ramës dhe qëndrimi kundër heqjes së imunitetit vjen për të mbrojtur miliarderët në partinë e tij.
Ky qëndrim kërcënues ndaj mbajtjes së referendumit popullor për heqjen e imunitetit arriti kulmin pasi në përputhje me ligjin Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive publikoi pasuritë e deputetëve nga ku rezulton se vetëm njëri nga anëtarët e kupolës së miliarderëve të Partisë Socialiste, deputeti Abazi ka deklaruar një pasuri me mbi 50 milion dollarë.
Nga kjo pasuri prej mbi 50 milion dollarë vetëm ndërtime me leje të kryetarit Rama, por dhe pa leje fare, janë rreth 7 mijë metër katrorë, kurse të tjerat, të ardhura nga kompania USLUGA që përdor imunitetin e Presidentit të saj, zotit Sadri Abazi për fitime përrallore.
Ky person ka edhe 11 veprimtari të tjera në ndërtim e sipër. Ato që janë deklaruar janë vetëm maja e ajsbergut të pasurisë së tij.
Këto të dhëna faktojnë se për të mbrojtur pasuritë prej mbi 50 milion Dollarësh të zotit Abazi, kryetari i Partisë Socialiste dhe miliarderët e Partisë Socialiste, e kanë jetike mburojën e imunitetit me të cilën bllokojnë hetimin e origjinës së pasurive të tyre, tha Bardhi.
Partia Demokratike deklaron edhe një herë se asnjë kërcënim i zotit Rama dhe miliarderëve të Partisë Socialiste nuk do të mund të pengojë verdiktin e qytetarëve për një Shqipëri pa imunitet dhe pa zyrtarë që e përdorin atë si mburojë për pasurim të paligjshëm si dhe për të fshehur origjinën e këtyre pasurive nga trafiqet kriminale, fshehja e taksave, kontrabanda, lejet e paligjshme të ndërtimit dhe grabitja e trojeve dhe tokave publike.