E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoqërohet në polici drejtuesja e Pasha Holiday, mashtroi turistët shqiptarë me udhëtimin në Sharm el Sheik

(E PERDITESDUAR)- Zëdhënësja e Policisë së Shtetit bëri me dije se ka shoqëruar në polici drejtuesen e agjencisë turistike Pasha Holiday, pasi ka mashtruar 189 turistë shqiptarë, që kanë udhëtuar me agjencinë e saj për në Sharm el Sheik të Egjiptit, por kanë mbetur të izoluar aty.

Aktualisht është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Tiranës, pronarja e kësaj agjencie, shtetasja Arselina Kërthoci, lindur në Tropojë e banuese në Tiranë, e cila po jep deklarime lidhur me këtë çështje, bëri të ditur zëdhënësja e Policisë.

Policia po ashtu bëri me dije se ka nisur procedimin penal për kompaninë me akuzën se ka mashtruar turistët.

Pushimet e kësaj vere janë kthyer në makth për 189 turistë shqiptarë, të cilët duhej të qëndronin dhjetë ditë në Sharm el Sheik, por që ditën e tretë janë flakur nga hoteli me gjithë valixhe. Pronarët e hotelit thanë se pronarja e agjencisë turistike ka paguar vetëm 3 ditë qëndrim.

Turistët shqiptarë janë alarmuar. Shumica e turistëve thonë se kanë shumë pak para me vete dhe po presin një zgjidhje për këtë problem të rëndë.

Drejtuesi i agjencisë në Egjipt, që punon me agjencinë shqiptare, thotë se Pasha Holiday u detyrohet atyre plot 125 mijë euro.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›