Dorëzohet BDI, do votojë çdo ligj, përveç branitellave

Pas bojkotit të djeshëm, deputetët e BDI-së kthehen në Kuvend, me paralajmërimin se do të votojnë ligjet e mbetura, por jo edhe ligjin e branitellave, për të cilin thonë se do ta parandalojnë me të gjitha mënyrat ligjore dhe rregulloren e Kuvendit. Kordinatori i grupit parlamentar të BDI-së Talat Xhaferi tha se BDI nuk do të lejojë të krijohet alibi e rreme se gjoja bllokimi i miratimit të ligjit për branitellat rrezikon integrimin e vendit. Xhaferi tha se grupi parlamentar i BDI-së kthehet në Kuvend për të votuar ligjet tjera të mbetura.
“Në emër të grupit parlamentar të BDI-së ju njoftoj që do të vazhdojmë që të votojmë për ligjet e mbetura në këtë seancë me ritheksim të veçantë se ne do të shfrytëzojmë çdo gjë që është e mundshme në rrugë institucionale të parandalojmë miratimin e Ligjit kontestues në fjalë dhe atë ne u sigurojmë qytetarëve", tha Talat Xhaferri, koordinator i grupit parlamentar të BDI-së
Ndërkaq, deputetët e LSDM-së braktisën seancën parlamentare, duke paralajmëruar se nuk do të votojnë ligjet me shumicë të kualifikuar, përderisa partia shqiptare në pushtet nuk arsyeton ndryshimin e qëndrimit të saj për bllokimin e propozim-ligjeve të Qeverisë.
Vetëm disa ditë më parë, deputetët e BDI-së deklaruan se do të votojnë kundër të gjitha propozimeve të qeverisë, mirëpo qëndrimi i tyre sot është ndryshuar, siç thonë ata, për të mos dëmtuar procesin eurointegrues të Maqedonisë.