E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jahjaga dhe Thaçi, ngushëllime Presidentit Obama

Sulmi i Ambasadës amerikane eshtë dënuar fuqishëm edhe nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila ne nje mesazh ngushëllimi drejtuar ndaj presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, solidarizohet me familjarët e viktimave dhe popullin amerikan në këto momente të vështira.
 

“Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, institucioneve të vendit dhe në emrin tim personal, ju lutem pranoni ngushëllimet tona me rastin e humbjes së ambasadorit tuaj në Libi, z. Kristofer Stivens, dhe tre zyrtarëve të tjerë në sulmin ndaj ambasadës amerikane në Bengazi”.
 

“Lutjet tona janë me familjarët e viktimave dhe popullin amerikan në këto momente të vështira”, thuhet në telegramin e presidentes Jahjaga.
 

Presidentin Obama për vdekjen e ambasadorit amerikan në Libi e ngushëlloi edhe kryeministri Hashim Thaçi.
 

”Me pikëllim të thellë mësova lajmin për sulmin kriminal që ka ndodh sot ndaj konsullatës së SHBA-së në Bengazi, që mori jetën e ambasadorit Christopher Stevens si dhe të tre punonjësve tjerë të konsullatës.
 

Asgjë nuk mund të justifikojë një veprim të tillë. Këto akte të sulmeve kriminale ndaj ambasadave dhe personelit janë të patolerueshme dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe cenojnë rëndë paqen e bashkëpunimin midis popujve dhe kombeve të botës së civilizuar. Është e dhimbshme sidomos për faktin që një tragjedi e tillë po ndodh në një vend që sapo ka kaluar një periudhë të vështirë nën një regjim totalitar”, thuhet ndër të tjera në ngushëllimin e Thaçit.
 

Sulmi në Bengazi thuhet se ka qenë reagim i zemëruar ndaj një filmi që “fyen” Profetin Muhamed.

 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›