ILDKP, PD-PS: Nuk heton pasuritë e padeklaruara të zyrtarëve

Mazhoranca dhe opozita në Komisionin e ligjeve i kanë kërkuar kreut të inspektoriatit të deklarimit të pasurive të hetojë pasuritë e atyre zyrtarëve, të cilët e zotërojnë pasurinë por nuk e deklarojnë.
Më i ashpër në qëndrimin e tij ka qenë deputeti demokrat, Fatos Hoxha, i cili i ka kërkuar kreut të ILDKP-së ta bëjë me profesionalizëm detyrën e tij dhe të mos mbyllë sytë para rasteve të tilla.
Ndërkaq Ministri i Teknologjisë dhe Informacionit, Genc Pollo, tha se me 2 ligjet e sjella nga qeveria luftohet drejtpërsëdrejti korrupsioni në radhët e zyrtarëve të lartë.
Pavarësisht se opozita i votoi në parim këto dy ligje, deputetët socialistë braktisën votimin në fund, pasi mazhoranca propozoi që bashkë me deklaratat për pasuritë, ILDKP-ja të publikojë edhe një vërtetim që pasuria është në rregull. Në këtë pikë opozitarët në Komision kanë kundërshtuar, pasi sipas tyre cënohet liria e medias dhe janë larguar nga Komisioni.