Dorëzohet Serbia

Pas shumë kundërshtimeve, Serbia duket se i është dorëzuar realitetit në Kosovë, duke ndryshuar qëndrimin e saj ndaj Misionit të Bashkimit Evropian, që së shpejti do të zëvendësojë atë të Kombeve të Bashkuara. Në një intervistë për të përditshmen serbe “Politika”, kreu i qeverisë së Beogradit deklaroi se Serbia synon tani pjesëmarrjen në vendosjen e EULEX-it në Kosovë. “Ne kemi interes të madh në Kosovë, kemi njerëz që jetojnë atje dhe duhet ta përmirësojmë jetën në Kosovë për të gjithë ata qytetarë për të cilët jemi përgjegjës. Për këtë shkak duhet të marrin pjesë në rikonfigurimin e UNMIK-ut dhe respektivisht në instalimin e EULEX-it, sepse duam të jemi pjesë e çështjes së përbashkët”, - tha Mirko Cvetkoviç. Sipas tij, Serbia jo vetëm që duhet të përfshihet në këtë proces, por madje mund të hartojë një projektrezolutë, e cila më pas të marrë miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për t’i legjitimuar prezencën e Misionit Evropian. I pyetur nëse Serbia po zhvillon negociata me UNMIK-un mbi rikonfigurimin e misionit të OKB-së apo bëhet fjalë vetëm për negociatat teknike, kryeministri serb tha se qëndrimi zyrtar i Beogradit është se EULEX-i duhet të vijë me një rezolutë të OKB-së, pasi përndryshe prezenca e tij është e jashtëligjshme. Nga ana tjetër, ai konfirmoi se qëndrimi serb mbi Kosovën nuk ka ndryshuar, dhe se Serbia nuk është e gatshme të heqë dorë prej saj në këmbim të anëtarësimit në BE. “Në rast se njohja e Kosovës do të jetë kusht për hyrje në BE, ne do të përzgjedhim Kosovën. Ne nuk do ta braktisim atë. Ky është mesazhi ynë”, - tha Cvetkoviç. Ndërsa lidhur me njohjen e pavarësisë së Osetisë së Jugut dhe të Abhkazisë, ai u shpreh se Serbia do të veprojë në përputhje me interesat e saj. “Ne dikur tërhoqëm vërejtjen se njohja e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës mund të shkaktojë efektin domino. Fatkeqësisht tani kjo gjë po ndodh”, - vazhdoi ai. Po pavarësisht deklaratës së tij, opozita serbe është e mendimit se dalëngadalë Beogradi po dorëzohet, duke pranuar pavarësinë e Kosovës. Në reagimet e para opozitare, nënkryetari i Partisë Demokratike të Serbisë (partisë së Koshtunicës) Sllobodan Samarxhiç, deklaroi se qëndrimi i kryeministrit se Serbia duhet të marrë pjesë në rikonfigurimin e UNMIK-ut, paraqet “përgatitje të qytetarëve me atë se Serbia po fillon gradualisht të njohë pavarësinë e Kosovës. “Cvetkoviç duhet ta dijë se, sipas Planit të Ahtisarit, UNMIK-u duhet të zëvendësohet me misionin EULEX, i cili duhet ta realizojë pavarësinë e Kosovës, që do të thotë se pjesëmarrja e Serbisë në rikonfigurimin e UNMIK-ut paraqet pjesëmarrje në krijimin e Kosovës së pavarur”, - tha ish-ministri serb për Kosovën. Të mërkurën, analisti amerikan Piter Rutland, duke komentuar zhvillimet e fundit në Kaukaz, deklaroi se me njohjen e pavarësisë së Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut, Rusia do të kontribuojë në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ato vende që nuk e kanë njohur deri më tani.